
Macron kërkon “balancat” në situatën e Ukrainës
Presidenti francez Emmanuel Macron beson që mund të arrihet një marrëveshje për të shmangur luftën në Ukrainë. Sipas tij është legjitime për Rusinë që të shprehë shqetësimet për sigurinë.
Para nisjes së takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ai bëri thirrje për një “balancim të ri”, për të mbrojtur shtetet evropiane dhe për të qetësuar Rusinë.
Ai theksoi se sovraniteti i Ukrainës nuk duhet të diskutohet. Rusia ka mbledhur rreth 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën, por ka mohuar planet për pushtim, duke akuzuar SHBA-të për provokim.
Moska ka bërë disa kërkesa, përfshirë ato që Ukraina të mos bëhet anëtare e NATO-s dhe që aleanca të ulë prezencën ushtarake në lindje të Evropës.
Perëndimi ka refuzuar kërkesat e në vend të tyre ka ofruar tema të tjera për diskutim, përfshirë zvogëlimin e armëve bërthamore. Macron ka thënë se objektivi i Rusisë “nuk është Ukraina, por sqarimi i rregullave me NATO-n dhe Bashkimin Evropian”.
Ai ka shtuar se shpreson që dialogu me presidentin rus do jetë i mjaftueshëm për të parandaluar konfliktin ushtarak. Macron ka thënë po ashtu se beson që Putin do të jetë i hapur për të diskutuar çështje të mëdha.