Raporti, Rusia po humbet €160 milionë në ditë prej embargos së naftës

Rusia po humb rreth €160 milionë në ditë prej embargos së naftës vendosur nga BE, si dhe çmimi tavan për blerjet e ngarkesave, vendosur nga vendet e G7-ës.

Kështu tha një raport i botuar së fundmi në Finlandë.

Të dhënat thonë se humbjet ruse mund të rriten deri në 280 milionë euro në ditë pas 5 shkurtit, afati i fundit që BE vendosi për 27 shtetet e saj anëtare për të hequr totalisht të gjitha importet nga deti të produkteve të naftës së parafinuar.

Rusia tani fiton 640 milionë euro në ditë nga shitja e hidrokarbureve, rreth 400 milionë më pak se në muajin mars të vitit të shkuar kur nisi luftën në Ukrainë.

Shitja e hidrokarbureve besohet se përfaqëson rreth 40% të buxhetit federal të Rusisë, e cila mbështet shpenzimet ushtarake në lindje të Ukrainës.

Të dhënat u raportuan nga Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Pastërtinë, një organizatë e pavarur kërkimore kjo, me qendër në Helsinki.

Ky raport zbeh zërat që i konsideronin sanksionet perëndimore joefektive.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk pranoi ta komentonte raportin, duke thënë thjesht se “ne do t’i lëmë gjërat të flasin vetë”.

Ndërkohë, Kremlini shprehu skepticizëm dhe tha se ishte shumë herët për të nxjerrë përfundime rreth humbjeve ekonomike.

Si pjesë e embargos, e konsideruar gjerësisht si sanksioni më radikal i BE-së deri më sot, më 5 dhjetor 2022 Evropa hoqi të gjitha importet e naftës së papërpunuar nga deti.

Kjo u bë në të njëjtën ditë që G7 vendosi një çmim tavan prej 60 dollarëve për fuçi si kufi të paracaktuar të çmimit për cisternat ruse që shesin naftë të papërpunuar.

G7 përfshin vendet më të industrializuara në botë, si SHBA-në, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë. Këto vende kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në tregtinë globale.

Tejkalimi i çmimit tavan vendosur nga G7 shkakton menjëherë ndalim të ofrimit të shërbimeve për kompanitë tregtare.

Çmimi tavan është thënë të rishqyrtohet sipas prirjeve dhe kërkesave të tregut. Në fillim për këtë masë pati kritika, pasi Rusia gjatë gjithë vitit 2022 shiti naftë nën kosto duke përfituar nga kërkesa e diktuar prej tregut të përmbysur botëror me çmime të larta.

Por në fund të vitit 2022 dhe në ditët e para të vitit 2023, çmimi i naftës bruto ka rënë ndjeshëm, duke arritur në 51 dollarë për fuçi, thuajse sa gjysma e çmimit që ishte në këtë periudhë një vit më parë.

Për të gjymtuar më tej makinerinë luftarake të Rusisë, ekspertët rekomandojnë forcimin e zbatimit të çmimit tavan dhe futjen e masave të ngjashme për importin e gazit.

Raporti finlandez tha se në dhjetor BE-ja mbeti blerësi i dytë më i madh i gazit rus pas Japonisë.

Megjithatë, sapo embargoja e BE-së të fillojë plotësisht më 5 shkurt, blloku pritet të zhvendosë importet me furnitorë nga Kina dhe India.

*Tibo News.