Në Shqipëri punohet 8 orë më shumë se në BE

Në Shqipëri punohet 8 orë më shumë sesa në vendet e Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se shqiptarët punojnë mesatarisht rreth 44 orë në javë. Kjo e bën Shqipërinë të dytën në Europë, pas Turqisë për orët e gjata të punonjësve në punë.

Punonjësit e sektorit të prodhimit janë ata që punojnë më gjatë me 46.5 orë në javë, pasuar nga sektori i ndërtimit me mesatarisht 45.6 orë në javë, sipas anketës së forcës së punës, të kryer nga INSTAT

Sipas ekspertëve: “Shqipëria është një vend ku punonjësi vlerësohet për nga orët e gjata të punës. Një punonjës sot duhet të vlerësohet në bazë të produktivitetit. Produktiviteti është rritur nëse punojnë më pak”.

Ndërkaq, rezulton se orët më të paktë të punës në Shqipëri i kanë punonjësit e administrimit publik apo shërbimeve sociale me 40 orë në javë.

Nismën më të fundit për orare fleksibël në shtet, ekspertët e shohin si diçka pozitive.

“Është një model interesant, duhet të shërbejë dhe të përqafohet edhe nga sipërmarrja private, të tregojë dhe të jetë shembull i standardizimit dhe modernizimit që duhet të ketë një sipërmarrje duke qenë i ndjeshëm ndaj rëndësisë që ka punonjësi”.

Burrat kanë orët e punës më të zgjatura, me 1.9 orë më shumë, në krahasim me gratë.