“TIMS”, PS rrëzon raportin e opozitës
Komisioni hetimor parlamentar për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS” nuk ka arritur që të bindë socialistët dhe demokratët që të dalin me një raport të përbashkët.
Mësohet se në mbledhjen e fundit, dy palët prezantuan raportet, ndërkohë që kryekomisioneri Ervin Salianji gjatë paraqitjes së raportit tha se persona te paautorizuar dhe jo zyrtarë kanë pasur akses te të dhënat e sistemit TIMS dhe se ata janë përdorur nga grupe kriminale.
Salianji tha: Të dhënat e sistemit TIMS iu kanë shërbyer grupeve kriminale për të bërë eliminimin e kundërshtarëve të tyre për të kufizuar lëvizjet jashtë vendit, apo edhe për t’u arratisur në rastet kur ndaj tyre janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare apo ndërkombëtare.
Megjithatë, socialistët në raportin e tyre rrëzuan pretendimet e opozitës dhe bënë të ditur se do të kërkojnë ndryshimet ligjore brenda 6 muajve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave.
Salianj kërkoi bashkimin e dy raporteve, por kjo u hodh poshtë. Raporti i komisionit pritet të paraqitet në dy seancat e fundit parlamentare të parashikuara të mbahen nesër dhe të premten.