Në përkujtim të viktimave të Holodomorit

Në fundvitet 20-të Bashkimi Sovjetik nisi kolektivizimin e tokave bujqësore, politikë që e aplikoi me detyrim duke përndjekur, dëbuar dhe vrarë fshatarësinë që e kundërshtoi atë. Kjo nxiti krizë prodhimi nga e cila Moska nxori si zgjidhje konfiskimin total të produkteve nga zonat që nuk plotësonin normat e vendosura prej saj.

Në qendër të këtyre konfiskimeve barbare u vu kryesisht Ukraina, e cila në vitet 1932-33 vuajti një mungesë ekstreme të grurit. Zija e madhe e bukës, e cila në histori njihet si Holodomor, i mori jetën miliona njerëzve dhe u përsërit edhe vite të tjera. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik ajo kujtohet gjerësisht si gjenocid nga Kievi zyrtar.

Për të folur për këtë çështje dhe 90-vjetorin e kësaj tragjedie kombëtare, Tibo News intervistoi ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, zotin, Volodymyr Shukrov.

Kanë kaluar rreth 90 vite nga masakra e urisë “Holodomor” që i mori jetën të paktën 3 milionë ukrainasve, por ende shumë pak vende e konsiderojnë atë një gjenocid nga regjimi sovjetik. Nga se mund të vijë ky hezitim?

Çdo vit, të shtunën e katërt të nëntorit, Ukraina përkujton viktimat e Holodomorit të viteve 1932, 1933. Këtë vit, dita e përkujtimit i takon të jetë më 26 nëntor.

Në atë kohë kanë humbur jetën miliona ukrainas, shifrat janë shumë të ndryshme, shkojnë nga dy deri në 12 milionë, por sipas studimeve të fundit që janë bërë nga një grup specialistësh të Institutit të Demografisë dhe Marrëdhënieve Sociale të Ekonomisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës, kjo në bashkëpunim me universitetet amerikane, numri i viktimave është i barabartë me rreth 4.5 milionë.

Por e vërteta për Holodomorin dhe viktimat e tij është fshehur për shumë vite, kjo prej disa metodash korruptive, ku disa informacione fshiheshin, apo shkatërroheshin plotësisht, ose shkaqet e vdekjeve vendoseshin krejt ndryshe, madje ka pasur një terminologji të veçantë për të thënë arsyet e vdekjeve.

Dua të nënvizoj këtu se informacioni për sa i përket urisë, ka qenë i ndaluar, ka ekzistuar një ligj për këtë, që ka qenë në fuqi deri në vitin 1987. Pra edhe atëherë kur Ukraina ka marrë mundësinë për të folur dhe treguar të vërtetën për Holodmorin.

Sot kemi shumë libra, kemi shumë monumente kulture që e tregojnë këtë periudhë dhe në vitin 2006 parlamenti ukrainas miratoi ligjin për Holodomorin e vitit 1932-33, i cili e njohu Holodomorin si gjenocid të popllit të Ukrainës.

Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore u rreshtua me Bashkimin Sovjetik, dhe mes viteve 1945-1961 aplikoi thuajse të njëjtat politika që kaloi në vitet 30-të Ukraina, si konfiskimi dhe kolektivizimi i detyruar i tokave, prodhimi me norma të detyruara dhe pushkatimi për ata që konsideroheshin sabotatorë në bujqësi. A mendoni se ka edhe më shumë vija të përbashkëta historike mes dy popujve tanë?

Mendoj se ka shumë elemente të përbashkëta midis kombeve tona në historitë e tyre të trishta.

Ajo që përmendni ju duke folur për historinë e Shqipërisë, sigurisht u shfaq edhe në historinë e Ukrainës në ato vite.

Këtu mund të përmend përndjekjet, gjobat e jashtëzakonshme, apo të ashtuquajturat dërrasa të zeza, të cilat përdoreshin në ato vite, ku njerëz nga fshatrat nuk kishin as të drejtë të lëviznin apo shpërnguleshin nga vendbanimet e tyre.

Të gjitha këto përbënin ato elementet e gjenocidit, që u zhvillua asokohe në Ukrainë. Ndoshta kjo është arsyeja se përse me kaq zemër populli shqiptar sot i përjeton mizoritë që po kalon populli ukrainas.

A ka pasur diskutime apo kërkesa nga Ukraina që edhe Shqipëria ta konsiderojë gjenocid atë çka përjetoi Ukraina në vitet 1932-1933? Si ka qenë përgjigja?

Po, ne i ishim drejtuar në rrugë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë me një propozim për ta njohur si gjenocid ndaj popullsisë ukrainase Holodomorin e vitit 1932-33. Çështja është aktualisht në shqyrtim.

Shpresoj shumë që pala shqiptare, e cila gjithmonë ka mbështetur Ukrainën në çdo nivel ndërkombëtar, sigurisht, do të pranojë njohjen e Holodomorit si gjenocid ndaj popullit tonë.

Por dua të nënvizoj dhe diçka tjetër, se sot, parlamentet e 17 vendeve anëtare të OKB-së kanë njohur Holodomorin si gjenocid, dhe para dy ditësh të njëjtën gjë ka bërë edhe Rumania.

Kam të gjitha shpresat se edhe Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë.

Platforma Tibo do të shfaqë të shtunën film dokumentar për “Holodomor” kush do të ishte mesazhi juaj për cilindo shqiptar që nuk e di këtë histori?

Në radhë të parë do të doja t’ju falenderoja për gatishmërinë tuaj për shfaqjen e këtij filmi, qëllimi i këtij filmi është më shumë informimi i audiencës shqiptare për atë histori tragjike të Ukrainës. Dua të nënvizoj se përkujtimi i Holodomorit, demonstrimi dhe shfaqja e filmave sot po zhvillohet në kontekstin e një lufte të nisur nga Rusia kundër Ukrainës.

Të gjitha këto gjëra tregojnë se sa e qartë është nevoja që këto ngjarje të bëhen mësime historike, përndryshe historia mund të përsëritet.

Sot ne kemi një luftë që shoqërohet me praktika gjenocide kundër Ukrainës. Ngjarjet tragjike siç janë, Buça (Bucha), Marjupoli (Mariupol), Izjum (Izyum)… nuk kanë fjalë tjetër për t’i emëruar ato përveç fjalës gjenocid.

Dua të them gjithashtu, se këtë vit, përkujtimi i viktimave të Holodomorit mbahet nën sloganin “Kujtojmë të bashkohemi dhe ne do të fitojmë!”.

Me këtë rast dua t’i drejtohem popullit shqiptar me propozimin, që nëse kanë dëshirë, t’i bashkohen fushatës sonë, fushatës “Ndiz një qiri” e cila do të zhvillohet në datën 26 nëntor në orën 15:00, një qiri që ftoj ta ndizni secili nga ju në dritaret e shtëpive tuaja në shenjë kujtimi për ata që humbën jetën në mënyrë mizore dhe po kështu në mbështetje të fitores së Ukrainës.

Eshtë një mundësi për të treguar gatishmërinë që këto gjenocide të mos ndodhin më mes popujve tanë.

Me këtë rast dëshiroj të falenderoj qeverinë dhe popullin shqiptar sepse po e ndihmojnë Ukrainën jo vetën në nivelin e lartë ndërkombëtar por edhe me ndihma humanitare.

Shpresoj që dokumentari të jetë i duhuri për të kuptuar tragjedinë që u zhvillua në Ukrainë dhe që së bashku të mundohemi të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë që kjo të mos përsëritet më.

*Tibo News.