Tring dhe “Gjeo-Bllokada”: A po i kalon Lega Serie A kufijtë e ligjit?

Një adresë IP nuk është kufi shtetëror: pse geo-bllokimi absolut i Lega Serie A ndaj Tring duhet të vihet në provën e ligjit

Lega ka të drejtë të mbrojë të drejtat e Serie A dhe territorin për të cilin i ka licencuar ato. Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht e drejta për të ngritur një “mur digjital” absolut Shqipëri–Itali. Jurisprudenca europiane, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ligji shqiptar i konkurrencës, të drejtat themelore, portabiliteti digjital dhe vetë historia e marrëdhënieve Itali–Shqipëri krijojnë arsye serioze për të vënë në diskutim proporcionalitetin dhe ligjshmërinë e një ndalimi “zero overspill”.

Më 14 gusht 2026, Lega Calcio Serie A njoftoi se kishte ndërprerë furnizimin e sinjalit të Serie A Enilive dhe Coppa Italia Frecciarossa për transmetuesin shqiptar Tring, të paktën deri sa ky i fundit të jepte garanci se platforma e tij nuk mund të përdorej nga Italia. Në komunikatën e vet, Lega shkruan se marrëveshja në fuqi ndalon “any form of signal overspill into Italy” dhe kërkon që OTT të jetë “geoblocked exclusively to Albania”.

Në pamje të parë çështja duket e thjeshtë: ekziston një kontratë, ekziston një territor dhe kontrata duhet respektuar.

Por juridikisht çështja është shumë më e ndërlikuar.

Sepse pyetja e vërtetë nuk është nëse Lega Serie A mund t’i shesë Tring-ut të drejtat për Shqipërinë. Sigurisht që mundet. Pyetja është nëse një licencë territoriale mund të shndërrohet në një sistem të mbrojtjes territoriale absolute, ku një abonent i ligjshëm shqiptar humbet shërbimin vetëm sepse IP-ja e telefonit apo televizorit të tij ndodhet disa kilometra përtej Adriatikut.

Dhe pikërisht këtu ligji europian ka shumë për të thënë.

⸻

 

Lega ka të drejtë mbi territorin. Por territori dhe “absolute territorial protection” nuk janë e njëjta gjë

Vendimi më i rëndësishëm në këtë debat është ai i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian në çështjet e bashkuara C-403/08 dhe C-429/08, Football Association Premier League / Karen Murphy, i 4 tetorit 2011.

Rasti kishte në qendër pikërisht futbollin, transmetimet televizive dhe licencat territoriale.

Premier League i shiste të drejtat ekskluzivisht sipas shteteve dhe broadcaster-ët merrnin përsipër të mos furnizonin karta dekodimi jashtë territorit të tyre. Gjykata nuk tha se licencimi territorial ishte i ndaluar. Përkundrazi, pranoi se rightsholder-i mund t’i japë një operatori të vetëm të drejtën ekskluzive për një territor.

Por Gjykata bëri një dallim vendimtar: ekskluziviteti territorial nuk duhet të shndërrohet në ekskluzivitet territorial absolut.

CJEU arriti në përfundimin se marrëveshjet që u ndalonin broadcaster-ëve çdo furnizim ndërkufitar eliminonin konkurrencën ndërmjet tyre dhe ndanin tregjet kombëtare sipas kufijve.

Kjo nuk është një analogji e largët. Lega sot deklaron publikisht se kërkon zero overspill dhe geo-bllokim ekskluzivisht brenda Shqipërisë.

Prandaj pyetja juridike është e pashmangshme:

A kemi thjesht një licencë territoriale për Shqipërinë, apo kemi një mekanizëm shtesë që kërkon ta izolojë absolutisht territorin dhe ta bëjë të pamundur çdo akses ndërkufitar?

Nëse është e dyta, atëherë çështja hyn pikërisht në territorin juridik të Murphy.

 

⸻

 

Copyright-i nuk është një kartë e bardhë për të ndarë tregjet

Në Murphy, Gjykata bëri edhe një dallim tjetër që shpesh harrohet.

Ajo përcaktoi se vetë ndeshjet e futbollit nuk janë “vepra” copyright-i në kuptimin klasik të së drejtës së autorit, sepse nuk janë krijime intelektuale të një autori. Elementë të transmetimit — grafika, muzika, videot hyrëse dhe materiale të tjera — mund të jenë të mbrojtura, dhe organizatorët mund të gëzojnë mbrojtje të tjera ligjore dhe kontraktuale.

Pra askush nuk po mohon pronësinë dhe vlerën ekonomike të të drejtave të Legës.

Por Gjykata tha diçka tjetër shumë të rëndësishme: mbrojtja e pronësisë intelektuale i jep rightsholder-it të drejtën për shpërblim të përshtatshëm, jo domosdoshmërisht për çmimin maksimal që mund të realizohet duke izoluar artificialisht çdo treg kombëtar. Në rastin e Premier League, Gjykata konsideroi se premium-i i paguar për ekskluzivitet territorial absolut mund të krijonte diferenca artificiale çmimesh ndërmjet tregjeve të ndara.

Në fjalë të tjera:

Pronësia intelektuale të jep të drejtën të mbrosh veprën. Nuk të përjashton nga ligji i konkurrencës kur mënyra e ushtrimit të kësaj të drejte fillon të ndajë tregjet absolutisht.

 

⸻

 

Dhe këtu hyn në lojë neni 71 i Marrëveshjes BE–Shqipëri

Argumenti më i pritshëm i Legës është: Murphy ishte një çështje ndërmjet shteteve të Bashkimit Europian. Shqipëria nuk është ende anëtare e BE-së.

Është një kundërargument serioz.

Por nuk e përfundon debatin.

Shqipëria dhe Bashkimi Europian kanë në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila është shumë më tepër se një deklaratë politike.

Neni 71 i saj thotë se janë të papajtueshme me funksionimin e Marrëveshjes, kur mund të ndikojnë tregtinë BE–Shqipëri, marrëveshjet ndërmjet ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara që kanë si objekt ose efekt parandalimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës.

Pastaj vjen fjalia vendimtare.

Neni 71(2) urdhëron që këto praktika të vlerësohen sipas kritereve që burojnë nga zbatimi i rregullave të konkurrencës së Komunitetit Europian — konkretisht nenet e atëhershme 81 dhe 82, sot në thelb 101 dhe 102 TFEU — si dhe instrumentet interpretuese të institucioneve europiane.

Pra ura juridike ekziston.

Nuk është e nevojshme të pretendohet se Shqipëria është sot pjesë e tregut të brendshëm të BE-së. Vetë MSA-ja kërkon që marrëveshjet që ndikojnë tregtinë BE–Shqipëri të kalojnë në filtrin e kritereve europiane të konkurrencës.

Dhe një marrëveshje ndërmjet një organizatori italian të të drejtave sportive dhe një broadcaster-i shqiptar, e cila ka për objekt specifik ndalimin e shërbimit nga Shqipëria drejt Italisë, vështirë se mund të thuhet se nuk ka asnjë lidhje me tregtinë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.

 

⸻

 

Kontrata private nuk është Kushtetutë

Kjo është një pikë themelore.

Edhe sikur kontrata Lega–Tring të thotë shprehimisht:

“zero overspill; Albania only; geo-block every foreign IP”, kjo nuk e përfundon analizën.

Një kontratë private nuk mund të neutralizojë normat imperative të konkurrencës.

Nëse një klauzolë kontraktuale rezulton në kundërshtim me një normë detyruese të competition law, argumenti “por Tring e ka firmosur” nuk është përgjigjje e mjaftueshme.

Kjo është pikërisht arsyeja pse ekziston neni 101 TFEU dhe pse Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit importon kriteret e tij në marrëdhënien BE–Shqipëri.

Nëse kontrata Lega–Tring është lidhur në vitin 2024, siç rezulton nga dokumentacioni kontraktual i palëve, ky fakt e bën argumentin edhe më interesant: në atë moment Murphy ekzistonte prej 13 vjetësh, MSA-ja BE–Shqipëri kishte hyrë prej kohësh në fuqi dhe Shqipëria ishte prej një dekade vend kandidat për anëtarësim.

Pra ky nuk është një konflikt ndërmjet një kontrate të vjetër analoge dhe një bote digjitale që askush nuk mund ta parashikonte.

 

⸻

 

Edhe Shqipëria ka tashmë precedent të drejtpërdrejtë: futbolli nuk qëndron mbi ligjin e konkurrencës

Ka edhe një provë që e bën çështjen veçanërisht interesante për një proces në Shqipëri.

Në vitin 2020, Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës hetoi Federatën Shqiptare të Futbollit pikërisht për aktivitetet ekonomike që përfshinin shitjen e të drejtave televizive.

Me Vendimin nr. 693 të 14 majit 2020, Autoriteti konstatoi abuzim të pozitës dominuese në aktivitetin ekonomik të FSHF-së. Ndër problemet e konstatuara ishte shitja e të drejtave audiovizive për një periudhë të gjatë dhe paketimi i të drejtave ekskluzive në mënyrë që kufizonte tregun. Autoriteti urdhëroi që ekskluziviteti i ardhshëm i të drejtave televizive të kufizohej në kohë dhe të ndahej në mënyrë që operatorë të ndryshëm të mund të konkurronin.

FSHF e çoi çështjen në gjykatë.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e la në fuqi vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Ky precedent nuk vendos drejtpërdrejt për Lega Serie A dhe geo-blocking-un.

Por demonstron një parim jashtëzakonisht të rëndësishëm:

Të drejtat televizive të futbollit janë aktivitet ekonomik dhe mënyra e shitjes dhe ushtrimit të tyre i nënshtrohet ligjit të konkurrencës.

As federata shqiptare dhe as një rightsholder ndërkombëtar nuk mund ta mbyllin debatin thjesht duke shqiptuar fjalën “sports rights”.

 

⸻

 

Groupe Canal+: një tjetër paralajmërim për “absolute territorial protection”

Në vitin 2020, Gjykata e Drejtësisë trajtoi sërish çështjen e televizionit, licencave dhe kufijve në Groupe Canal+ v European Commission, C-132/19 P.

Vetë klasifikimi juridik i çështjes nga Gjykata përmban konceptet “absolute territorial protection”, marrëveshje që synojnë ndarjen e tregjeve kombëtare dhe proporcionalitetin. Gjykata gjithashtu mbrojti të drejtat kontraktuale të palëve të treta nga ndërhyrje disproporcionale.

Vendimi nuk thotë se çdo licencë territoriale audiovizive është e paligjshme.

Përkundrazi, kjo është pikërisht arsyeja pse është i dobishëm: jurisprudenca europiane vazhdon të bëjë dallimin ndërmjet territorial exclusivity dhe absolute territorial protection.

Ky është dallimi që duhet bërë edhe për Tring.

 

⸻

 

Shitja në Itali nuk është e njëjta gjë me përdorimin në Itali nga një abonent shqiptar

Këtu duhet bërë ndoshta dallimi më i rëndësishëm në gjithë debatin.

Nëse Tring ose një distributor i tij shkon në Milano, hap një fushatë:

“Serie A më lirë se DAZN — abonohuni te paketa shqiptare”

dhe ia shet shërbimin publikut italian, Lega ka një argument shumë të fuqishëm për shkelje territoriale.

Por situata juridike nuk është e njëjtë kur kemi:

një abonent shqiptar të identifikuar, një kontratë të lidhur ligjërisht, një shërbim shqiptar, një platformë që nuk targeton publikun italian dhe një person që lëviz përkohësisht nga Tirana në Bari, Romë, Milano apo një shtet tjetër.

Active sales në territorin ekskluziv dhe passive use nga klienti ekzistues janë dy fenomene ekonomikisht dhe juridikisht të ndryshme.

Nëse operatori provon se mund të ndajë këto kategori — përmes verifikimit të klientit, KYC, DRM, account-it personal, ndalimit të transferimit të llogarisë, kufizimit të pajisjeve dhe auditimit — atëherë Lega duhet të shpjegojë pse bllokimi absolut sipas IP-së është masa e vetme e mundshme.

Sepse proportionality law pyet pikërisht këtë:

A ekziston një mënyrë më pak kufizuese për të arritur të njëjtin objektiv legjitim?

 

⸻

 

Paradoksi europian: brenda BE-së kontrata nuk mund ta burgosë më abonentin në shtetin e tij

Këtu debati bëhet edhe më interesant.

Në vitin 2017, Bashkimi Europian miratoi Regulation (EU) 2017/1128 on cross-border portability of online content services.

Ligji thotë se një abonent që ka marrë ligjërisht një shërbim online në shtetin e tij të rezidencës duhet të mund ta përdorë atë kur ndodhet përkohësisht në një shtet tjetër anëtar. Kjo përfshin edhe përmbajtje sportive.

Dhe BE-ja shkoi jashtëzakonisht larg: për kontratat që bien në fushën e Rregullores, klauzolat që synojnë të ndalojnë ose kufizojnë këtë portabilitet janë të pazbatueshme.

Kjo rregullore nuk i jep automatikisht një abonenti rezident në Shqipëri të njëjtën të drejtë, sepse ajo zbatohet për rezidentët e shteteve anëtare.

Ky është kundërargumenti korrekt i Legës.

Por shembulli është jashtëzakonisht domethënës për proporcionalitetin: Europa ka pranuar tashmë juridikisht se licencimi territorial dhe portabiliteti i abonentit mund të bashkëjetojnë.

Në fakt vetë Rregullorja thotë se portabiliteti duhet realizuar pa shkatërruar sistemin ekzistues të licencimit territorial.

Pra ekuacioni:

territorial rights = geo-block total

nuk është një ligj i natyrës.

BE-ja ka provuar vetë të kundërtën.

 

⸻

 

Po Geo-blocking Regulation? Këtu Lega ka një kundërargument të drejtë

Duhet thënë edhe ajo që nuk i ndihmon Tring-ut.

Rregullorja europiane kundër geo-blocking-ut, Regulation 2018/302, përjashton nga fusha e saj shërbimet audiovizive, duke përfshirë shërbimet që japin akses në transmetime sportive të bazuara në licenca territoriale ekskluzive.

Pra do të ishte gabim të thuhej:

“Ligji europian për geo-blocking-un e ndalon direkt Legën.”

Nuk e bën.

Por përjashtimi nga Rregullorja 2018/302 gjithashtu nuk do të thotë se çdo geo-block audioviziv është automatikisht i ligjshëm.

Competition law, Murphy, MSA-ja BE–Shqipëri dhe parimet e proporcionalitetit vazhdojnë të ekzistojnë.

 

⸻

 

“Regardless of frontiers”: edhe të drejtat themelore hyjnë në debat

Neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut mbron lirinë për të marrë dhe dhënë informacion dhe ide “regardless of frontiers”.

Në të njëjtën kohë, neni 10 pranon se shtetet mund të vendosin sisteme licencimi për broadcasting-un dhe lejon kufizime të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

Prandaj askush nuk mund të pretendojë seriozisht se ekziston një “e drejtë njerëzore për të parë Serie A”.

Por ekziston një pyetje e ligjshme për proporcionalitetin e kufizimit të aksesit në media dhe informacion përtej kufirit.

Në Groppera Radio AG v Switzerland, jurisprudenca e Strasburgut e ka njohur dimensionin ndërkufitar të lirisë së marrjes së informacionit, megjithëse ka pranuar edhe legjitimitetin e rregullimit dhe licencimit të broadcasting-ut.

Edhe më interesant është rasti Alternatives Lokalradio / Radio Dreyeckland v Switzerland. Komisioni Europian i të Drejtave të Njeriut vërejti se një problem sipas nenit 10, i kombinuar me nenin 14, mund të ngrihej nëse refuzimi i një licence do të linte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë pa transmetime në gjuhën e tyre amtare. Në atë rast konkret nuk u konstatua shkelje sepse publiku kishte alternativa reale për të marrë programe në gjuhën e tij.

Ky është një precedent shumë interesant për debatin shqiptar.

Jo sepse krijon të drejtën për Serie A në shqip.

Por sepse provon se gjuha amtare, aksesi mediatik dhe kufijtë nuk janë juridikisht elemente pa rëndësi.

 

⸻

 

Neni 11 i Kartës së BE-së dhe informacioni që nuk ndalet te kufiri

Neni 11 i Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së garanton gjithashtu lirinë për të marrë dhe dhënë informacion dhe ide pavarësisht kufijve dhe kërkon respektimin e lirisë dhe pluralizmit të medias. Kufizimet e të drejtave të Kartës duhet të kalojnë testin e nevojshmërisë dhe proporcionalitetit sipas nenit 52.

Madje Parlamenti Europian ka theksuar se informacioni, sidomos për shkak të ndryshimeve teknologjike, kalon natyrshëm kufijtë gjeografikë dhe ka rol të veçantë për komunitetet kombëtare që jetojnë jashtë vendit. Në të njëjtin kontekst ka kërkuar që komunitetet kulturore të kenë akses në media në gjuhën e tyre.

Përsëri: Lega është një subjekt privat dhe Karta nuk transformohet automatikisht në një detyrim privat që i jep çdo abonenti çdo program.

Por kur një autoritet konkurrencë, një gjykatë ose një institucion publik duhet të vlerësojë proporcionalitetin e një mase, këto vlera themelore nuk mund të trajtohen sikur nuk ekzistojnë.

 

⸻

 

Shqipëria nuk është më një “vend i tretë” i zakonshëm në raport me acquis-in europian

Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014 dhe negociatat e anëtarësimit u hapën në korrik 2022. Më 14 korrik 2026, Këshilli i BE-së konfirmoi se të 33 kapitujt e negociatave janë hapur dhe tre prej tyre janë mbyllur provizorisht.

Procesi i negociatave kërkon adoptimin, zbatimin dhe aftësinë për të zbatuar acquis-in europian.

Kjo nuk e bën Shqipërinë sot shtet anëtar dhe nuk i jep automatikisht shqiptarëve të gjitha liritë e tregut të brendshëm.

Por juridikisht është e vështirë të mbrohet ideja se marrëdhënia Itali–Shqipëri në vitin 2026 duhet interpretuar sikur bëhet fjalë për dy sisteme ekonomike krejtësisht të izoluara nga njëri-tjetri.

Veçanërisht kur vetë MSA-ja urdhëron përdorimin e kritereve europiane të konkurrencës.

 

⸻

 

Edhe MSA-ja e mbron pronësinë intelektuale — por nuk i jep asaj përparësi absolute mbi konkurrencën

Këtu duhet shmangur një keqkuptim tjetër.

MSA-ja nuk është vetëm një instrument pro-konkurrencë.

Neni 73 kërkon nga Shqipëria një nivel të përshtatshëm dhe efektiv të mbrojtjes dhe zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare.

Por i njëjti nen thotë se, kur problemet e pronësisë intelektuale ndikojnë kushtet e tregtisë, ato duhet t’i referohen urgjentisht Këshillit të Stabilizim-Asociimit me synim gjetjen e një zgjidhjeje reciprokisht të kënaqshme.

Kjo është filozofia e sistemit:

IP protection po.
Competition po.
Trade po.
Balancim midis tyre — jo absolutizim i vetëm njërës palë.

 

⸻

 

Marrëdhënia Itali–Shqipëri është objektivisht e pazakontë për nga lëvizshmëria

Një geo-block Itali–Shqipëri nuk ka të njëjtin efekt praktik si një kufizim ndërmjet dy tregjeve ku qytetarët pothuajse nuk lëvizin.

Vetë Ambasada italiane në Tiranë e përshkruan marrëdhënien si historikisht të fortë dhe intensive, të favorizuar nga afërsia gjeografike, me lidhje të thella historike, kulturore dhe ekonomike. Italia përshkruhet gjithashtu si vendi që strehon komunitetin më të madh shqiptar jashtë Shqipërisë.

Kjo nuk krijon të drejtë televizive.

Por është shumë e rëndësishme për testin e efektit real dhe proporcionalitetit.

Në një marrëdhënie kaq të ndërthurur, “IP Italy = block” nuk prek një numër teorik përdoruesish. Prek një popullsi që udhëton, punon, studion, viziton familjen dhe lëviz vazhdimisht në dy anët e Adriatikut.

Prandaj një masë absolute kërkon një justifikim proporcionalisht më bindës.

 

⸻

 

Dhe shtetet vetë kanë ndërtuar prej dekadash ura mediatike, kulturore dhe audiovizive

Këtu lind një paradoks tjetër.

Italia dhe Shqipëria kanë një Marrëveshje të Bashkëpunimit Kulturor të vitit 1994, në fuqi që nga 1999.

Nenet 11, 12 dhe 13 parashikojnë respektivisht nxitjen e shkëmbimit të informacionit për jetën e dy vendeve, shkëmbimin e informacionit dhe përvojës në sport, si dhe kontaktet dhe bashkëpunimin ndërmjet organizmave radiotelevizivë të dy vendeve.

Kjo marrëveshje nuk i jep Tring-ut Serie A.

Por tregon qartë se politika ndërshtetërore Itali–Shqipëri prej dekadash ka synuar rritjen e qarkullimit të informacionit, sportit dhe bashkëpunimit radioteleviziv, jo krijimin e izolimit mediatik.

 

⸻

 

Edhe pronësia intelektuale është trajtuar bilateralish — por si mbrojtje, jo si mur

Marrëveshja Itali–Shqipëri për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik, e firmosur në 1997 dhe ende e listuar si në fuqi, përmban një Aneks të posaçëm për pronësinë intelektuale.

Aneksi kërkon që palët të sigurojnë mbrojtje adekuate dhe efektive të IP-së dhe përfshin shprehimisht veprat e mbrojtura nga e drejta e autorit.

Pra marrëdhënia juridike dypalëshe nuk mohon copyright-in.

Përkundrazi e mbron.

Por asgjë në këtë filozofi nuk thotë se mbrojtja e copyright-it duhet të barazohet automatikisht me ndalimin teknik total të çdo përdorimi ndërkufitar të ligjshëm.

 

⸻

 

Marrëveshja kinematografike Itali–Shqipëri është ndoshta analogjia më interesante

Në vitin 2002, Italia dhe Shqipëria lidhën Marrëveshjen për bashkëprodhimin kinematografik, në fuqi që nga 2004.

Aneksi procedural kërkon provë të blerjes ligjore të të drejtave të autorit dhe lejon që kontratat të ndajnë të ardhurat dhe territoret ndërmjet palëve. Pra përsëri: sistemi juridik pranon ndarjen territoriale të rights.

Por neni 17 i të njëjtës marrëveshje thotë se importimi, shpërndarja dhe shfaqja e filmave italianë në Shqipëri dhe filmave shqiptarë në Itali nuk duhet t’u nënshtrohen kufizimeve përveç atyre që parashikohen nga ligjet dhe rregulloret në fuqi; dy shtetet riafirmojnë gjithashtu vullnetin për të favorizuar me të gjitha mjetet përhapjen e filmave të vendit tjetër.

Natyrisht, filmi nuk është Serie A.

Por analogjia është juridikisht domethënëse:

ndarja territoriale e të drejtave dhe qarkullimi ndërkufitar nuk janë koncepte që përjashtojnë njëri-tjetrin.

 

⸻

 

Edhe historia juridike Itali–Shqipëri është më komplekse sesa një vijë në hartë

Në listën aktuale zyrtare të marrëveshjeve dypalëshe, Ambasada e Italisë në Tiranë vazhdon të shënojë si “in vigore” Marrëveshjen e 20 prillit 1939 mbi “diritti dei rispettivi cittadini”.

Statusi juridik modern i atij instrumenti është historikisht dhe kushtetutshmërisht kompleks dhe nuk duhet përdorur si baza kryesore e çështjes Tring–Lega.

Por fakti që dokumentacioni diplomatik zyrtar italian vazhdon ta mbajë në listën e marrëveshjeve në fuqi është një tjetër tregues i veçantisë së historisë juridike Itali–Shqipëri.

Një argument serioz modern nuk ka nevojë të mbështetet te viti 1939. Ka Murphy, MSA-në, ligjin shqiptar të konkurrencës dhe të drejtën moderne europiane.

Historia thjesht tregon se ideja e dy vendeve si dy hapësira absolutisht të padepërtueshme nuk përputhet me realitetin e marrëdhënieve të tyre.

 

⸻

 

Argumenti më i fortë i Legës duhet dëgjuar

Një analizë serioze nuk mund të fshehë pozicionin tjetër.

Lega mund të thotë se të drejtat italiane të Serie A kanë vlerë shumë të madhe; se operatorët italianë paguajnë pikërisht për ekskluzivitetin e tregut të tyre; se Tring ka pranuar kontraktualisht kufizimin territorial; se një OTT shqiptar i përdorshëm masivisht në Itali do të mund të kanibalizonte tregun italian; se Shqipëria nuk është ende në BE; se Rregullorja europiane e portabilitetit nuk zbatohet drejtpërdrejt për një rezident shqiptar; dhe se Rregullorja e përgjithshme kundër geo-blocking-ut përjashton sportin audioviziv. Këto janë kundërargumente reale dhe disa prej tyre janë juridikisht të forta.

Por asnjëri prej tyre nuk i përgjigjet plotësisht pyetjes kryesore:

Pse mbrojtja e tregut italian kërkon domosdoshmërisht bllokimin e çdo shqiptari që ndodhet në Itali?

Nëse italiani nuk mund ta blejë produktin;

nëse nuk bëhet marketing në tregun italian;

nëse abonenti shqiptar identifikohet;

nëse llogaria është personale;

nëse operatori mund të kontrollojë përdorimin dhe të parandalojë resale;

dhe nëse ekzistojnë mekanizma teknikë më pak kufizues,

atëherë geo-block absolut sipas vendndodhjes së IP-së fillon të duket jo si mbrojtje e tregut, por si mbrojtje territoriale absolute.

Dhe këtu Murphy bëhet shumë e vështirë për t’u injoruar.

 

⸻

 

Një IP italian nuk e bën shqiptarin konsumator italian

Ky është ndoshta gabimi konceptual më i madh i modelit “geo-block everything”.

Adresa IP tregon vendndodhjen e lidhjes në një moment të caktuar.

Nuk tregon:

kombësinë e konsumatorit;

origjinën e kontratës;

vendin ku është blerë abonimi;

gjuhën e shërbimit;

nëse konsumatori po qëndron përkohësisht apo përgjithmonë;

nëse operatori e ka targetuar tregun italian;

apo nëse ky abonent ka qenë klient i ligjshëm prej vitesh.

Pra:

IP = Italy

nuk është juridikisht e njëjta gjë me:

sale = Italian market.

Të trajtosh të dyja si identike është pikërisht ajo që e bën një geo-block të verbër dhe potencialisht disproporcional.

 

⸻

 

Një zgjidhje proporcionale ekziston

Mbrojtja e Tring-ut nuk duhet të kërkojë një “internet pa territore”.

Duhet të kërkojë diçka shumë më të kufizuar dhe juridikisht më të mbrojtshme:

të drejtën për të ndarë klientin shqiptar të verifikuar nga konsumatori i tregut italian.

Lega mund të kërkojë ndalimin e active sales në Itali.

Mund të kërkojë masa anti-fraud.

Mund të kërkojë DRM.

Mund të kërkojë auditim.

Mund të kërkojë kufizim pajisjesh.

Mund të kërkojë kontroll të account sharing.

Mund të kërkojë prova se një operator nuk po përdor “diasporën” si justifikim për t’i shitur masivisht tregut italian.

Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht se masa e vetme legjitime është:

“Në momentin që kalove Adriatikun, kontrata jote digjitale pushoi së ekzistuari.”

Kjo është pikërisht ajo që duhet testuar nga konkurrenca, proporcionaliteti dhe gjykata.

 

⸻

 

Lega mund të mbrojë Serie A. Nuk mund ta shpallë vetë të padiskutueshëm mjetin që përdor

Në fund, kjo çështje nuk është një përpjekje për të hequr të drejtat e Lega Serie A.

Është e kundërta.

E drejta duhet mbrojtur me mjetin ligjërisht të duhur.

Lega ka të drejtë të luftojë piraterinë.

Ka të drejtë të ndalojë shitjen e paautorizuar në tregun italian.

Ka të drejtë të kërkojë që territori për të cilin ka marrë pagesë premium nga operatorët italianë të mos sabotohet nga shitje paralele masive.

Por pirateria nuk është e njëjta gjë me një abonent të ligjshëm.

Italiani që blen një paketë shqiptare për të shmangur operatorin italian nuk është juridikisht e njëjta kategori me shqiptarin që ka një abonim shqiptar dhe udhëton.

Dhe mbi të gjitha:

licencë territoriale nuk do të thotë domosdoshmërisht mbrojtje territoriale absolute.

Këtë dallim e ka bërë tashmë Gjykata e Drejtësisë në futboll.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit kërkon që kufizimet e konkurrencës që ndikojnë tregtinë BE–Shqipëri të gjykohen sipas kritereve europiane.

Vetë Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës ka vendosur se tregtimi i të drejtave televizive të futbollit i nënshtrohet competition law dhe se ekskluziviteti mund të bëhet abuziv.

E drejta europiane ka krijuar tashmë portabilitetin për të shmangur situatën ku një abonent i ligjshëm humbet shërbimin vetëm sepse udhëton në një shtet tjetër.

Konventa Europiane dhe Karta e BE-së mbrojnë marrjen e informacionit pavarësisht kufijve, ndërsa jurisprudenca europiane ka pranuar se edhe humbja e aksesit në media në gjuhën amtare mund, në rrethana të caktuara, të ngrejë çështje të të drejtave themelore.

Dhe Shqipëria e vitit 2026 është një vend kandidat me të 33 kapitujt e negociatave të hapur, i lidhur me BE-në nga një MSA juridikisht detyruese dhe me Italinë nga një rrjet i jashtëzakonshëm marrëveshjesh, marrëdhëniesh ekonomike, kulturore, mediatike dhe njerëzore.

Prandaj çështja nuk mund të mbyllet me tre fjalë:

“IP Italy: Block.”

Ajo që Lega Serie A duhet të provojë është shumë më tepër:

se bllokimi absolut i çdo aksesi nga Italia, pavarësisht identitetit të abonentit, kontratës së tij, mënyrës së blerjes dhe mungesës së çdo shitjeje në tregun italian, është jo vetëm kontraktualisht i shkruar, por edhe i nevojshëm, proporcional dhe i pajtueshëm me rregullat imperative të konkurrencës që lidhin BE-në me Shqipërinë.

Dhe kjo, pas Murphy, pas nenit 71 të MSA-së, pas legjislacionit europian të portabilitetit dhe pas jurisprudencës shqiptare mbi të drejtat televizive të futbollit, nuk është aspak një përfundim i vetëkuptueshëm.

Territori mund të mbrohet.
Tregu italian mund të mbrohet.
Të drejtat e Serie A mund dhe duhet të mbrohen.

Por kufiri nuk mund të shndërrohet automatikisht në mur digjital absolut vetëm sepse kështu është shkruar në një kontratë private. Ligji është mbi kontratën — dhe proporcionaliteti është mbi zgjidhjen më ekstreme.