Finiqi dhe “Syri i Kaltër” një miks fantastik i trashëgimisë kulturore dhe natyrore

Finiqi është një nga qytetet më të lashta të jugut të Shqipërisë, që ruan gjurmët e fiseve ilire dhe periudhave helene. Ndërsa jo shumë larg tij është një nga perlat e natyrës, “Syri i Kaltër”, dy pika fantastike për t’u vizituar.

I ndodhur rreth 250 kilometra në jug të Tiranës, rrugës për në Sarandë, Finiqi mbart vlera të jashtëzakonshme turistike.

Emri i vjetër i qytetit antik ishte Foinikia, e cila ishte kryeqendra e fisit ilir të kaonëve e më vonë kryeqytet i Epirit.

Gjurmët arkeologjike të gjetura në këtë zonë datojnë shekullin e V-të të periudhës helene, ndërsa parku arkeologjik ka mundur të zbulojë objekte të cilat datojnë nga periudha klasike deri në atë bizantine.

Pikërisht në këtë zonë thurri legjendën e tij Pirroja i Epirit, që sipas historianit grek Polibi, e ktheu Foinikian në qytetin më të fortifikuar të jugut, teksa dalloi edhe për skulpturat e shumta, të cilat punoheshin dhe eksportoheshin në qytetet e tjera, si Butrinti, apo Durrësi.

Ai e fortifikoi qytetin me tre seksione muresh, ku një pjesë e rrënojave të tyre mund të gjenden edhe ditët esotme.

Për turistët pjesa që tërheq më shumë ditët e sotme është bazilika paleokristiane dhe rrënojat e një teatri antik që mendohet se kishte kapacitet deri në 16 mijë spektatorë.

Ngjashëm, tërheqës, është dhe Manastiri i Mesopotamit, i cili është ndërtuar gjatë shkëlqimit të perandorisë Bizantine, në shekullin IX-X. Kjo strukturë ruan një stil arkitekture të veçantë për atë periudhë.

Manastiri dallohet gjithashtu për afresket të cilët janë pikturuar që me ndërtimin e tij dhe ikonostasin, ndërsa të dyja besimet ortodokse dhe katolike i kanë kryer ritet aty.

Por për të pasionuarit pas natyrës, “Syri i Kaltër” – Monument Natyre, – është një ndër vendet më të veçanta të jugut.

Ai ndodhet pak pasi kalohet Qafa e Muzinës, pa vajtur në Bistricë – rreth 20 minuta larg me makinë në lindje të Finiqit.

Në këtë zonë ka 18 burime të jashtëzakonshme uji që sjellin ujë nga thellësia e malit të Gjerë dhe emrin e ka marrë nga punonjësit e dikurshëm, të cilët ndërtonin ujëmbledhësin dhe hidrocentralin e Bistricës.

I konsideruar si një nga perlat e Shqipërisë, “Syri i Kaltër” nuk duhet lënë pa vizituar. Parku është i rrethuar, ndërsa duhet theksuar se për shkak të brishtësisë së ekosistemit është e ndaluar që vizitorët të lahen aty.

*Tibo News.