
Ukraina në qendër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara priten liderët dhe përfaqësuesit e 193 vendeve anëtare, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në debatin e tij të përgjithshëm me videomesazh.
Presidenti rus Vladimir Putin, ashtu si homologu i tij kinez Xi Jinping do të mungojë.
Ndër sfidat që liderët botërorë do të trajtojnë, është sigurisht lufta në Ukrainë, në veçanti sigurimi i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, eksporti i drithërave ukrainas, por edhe zbulimi i një varri masiv në qytetin e Izium, i sapo çliruar nga ushtria ruse. Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu krizën shëndetësore Covid-19, krizën energjetike që kërcënon Evropën, ndryshimet klimatike dhe përmbytjet në Pakistan.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres denoncoi disa ditë përpara Asamblesë së Përgjithshme ndarjet gjeostrategjike “të cilat nuk kanë qenë kurrë kaq të rëndësishme që nga Lufta e Ftohtë”. Ai bëri thirrje për “bashkim” për të gjetur zgjidhje për “sfidat dramatike”.
*TiboNews