OKB: Granatimet pranë centralit bërthamor mund të jenë katastrofike

Me bombardimet e vazhdueshme pranë termocentralit më të madh bërthamor të Evropës duke shkaktuar shqetësim të gjerë për një katastrofë në pritje, mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së bëri thirrje të martën që luftimet të ndalen dhe të krijohet një zonë sigurie në termocentral, i vendosur në territorin e kontrolluar nga Rusia përgjatë vijës së frontit të luftës së saj me Ukrainën.

“Ne po luajmë me zjarrin dhe diçka shumë, shumë katastrofike mund të ndodhë,” ka thënë ai.

Centrali bërthamor i Zaporozhzhia, i kapur nga Rusia menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, kontrollohet nga forcat ruse, por drejtohet nga teknikë ukrainas. Rusia dhe Ukraina akuzojnë secila tjetrën për bombardime.

Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, foli në Kombet e Bashkuara të martën pas një raporti të IAEA që e quajti situatën “të paqëndrueshme”.

Ai dhe inspektorët e tjerë të IAEA-s u përballën me granatimet për të kaluar vijën e frontit dhe për të arritur në termocentralin javën e kaluar.

“Goditjet që ka marrë ky objekt dhe që unë personalisht kam parë dhe vlerësuar, së bashku me ekspertët e mi, janë thjesht të papranueshme,” mësohet të ketë thënë Grossi.

Grossi tha se një zonë sigurie duhet të krijohet menjëherë rreth uzinës, diçka e kërkuar edhe nga shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Duhet të sigurohet një marrëveshje për një perimetër të çmilitarizuar. Në mënyrë të veçantë, kjo do të përfshinte një angazhim nga forcat ruse për të tërhequr të gjithë personelin dhe pajisjet ushtarake nga ai perimetër dhe një angazhim nga forcat ukrainase për të mos lëvizur në të.

Inspektorët thanë se kishin gjetur trupa dhe pajisje ruse në fabrikë, duke përfshirë automjete ushtarake të parkuara në sallat e turbinave. Moska ka mohuar akuzat se ka përdorur uzinën si mburojë për forcat e saj, por thotë se ka trupa që e ruajnë atë.

Shtetet e Bashkuara të martën akuzuan se Rusia është në procesin e blerjes së miliona predhave dhe raketave artilerie nga aleati i vjetër i Luftës së Ftohtë, Koreja e Veriut dhe tha se kjo tregon se Moska po vuan mungesa të rënda të furnizimit në luftën e saj në Ukrainë.

 

*TiboNews