
Një kumtesë mbi librin “Shoqëria Piramidale” të autorit Artan Fuga
Akademiku Artan Fuga si një studiues shkencor në librin e tij “Shoqëria Piramidale” i bën radiografinë shoqërisë shqiptare në këndvështrimin sociologjik, filozofik, juridik, ekonomik edhe në atë empirik. Libri ”Shoqëria Piramidale” mori rrugën drejt publikut pikërisht në vitin 2019. Viti i çuditshëm 2019, i cili përfundoi me zgjedhjet lokale moniste, me një parti.
Por ka një përgjigje për të elaboruar këtë krizë sociale të vitit 2019. Krizë që nuk erdhi papritur, por i ka rrënjët në periudhën parardhëse të saj, në vitin e largët 1990, kur shqiptarët ishin në protesta politike, në rrugë dhe sheshe publike duke kërkuar liri dhe barazi. Shoqëria shqiptare nga gjysma e dekadës së parë të shekullit të ri u kthye në atë që Fuga e quante Top – Down Society.
Një shoqëri ku vendimarrja politike është e ndërtuar nga lart– poshtë. Pyetjeve të shumta të drejtuara se çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare studiuesi shkencor arrin në një përfundim: Shoqëria Piramidale.
Në këtë shoqëri piramidale pushteti bie si breshëri nga lart-poshtë në supet e atyre që qullen e slluqen prej tij. Autori na sjell në vëmendje konceptin e bosit politik të studiuar nga Max Weberi në demokracitë perëndimore të shekullit të kaluar. Nga shoqëria piramidale lindi bosi politik që e tjetërson demokracisë dhe shkakton vertikalitetin social.
Libri i drejtohet çdo lexuesi që është pjesë e kësaj shoqërie, por libri shërben edhe për brezat e ardhshëm që do të vijnë. Nëse mbas 100 vitesh dikush do të dojë të dijë se si ishte Shqipëria, libri ngelet aty si një thesar i vyer që do t`ju shërbejë brezave të ardhshëm.
Ka të drejtë autori kur shkruan se: “Të kuptosh se në cilën shoqëri jeton ka vlera praktike si për qytetarin e zakonshëm, atje në hallet dhe punët e tij të përditshme, ashtu edhe për politikanin a intelektualin. Moskuptimi i shoqërisë ku njeriu jeton sjell pasoja të pakëndshme për secilin nga ne. Dhe një nga shkaqet e kësaj mosnjohje pas nga koha”.
Autori në kapitullin e parë “Nga lëvizjet shoqërore të masave te sundimi i “bosave” politikë synon të sqarojë lexuesin për lëvizjet shoqërore të vitit 1990 që erdhën nga poshtë, nga masat. Masa ishte e fortë, lideri politik ishte i dobët. Pikërisht këtu Artan Fuga bën një krahasim mes shoqërisë horizontale të viteve `90 me shoqërine piramidale të sotme, ku bosi politik mbledh rreputacion, kapital, autoritet dhe shndërrohet në një individ të fuqishëm. Për ta vendosur në konotacionin e duhur teorinë e Max Weber mbi bosin politik, autori analizon nga ana juridike statutin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Në këto statute konfirmohet roli i bosit politik në parti, si i vetmi person që ka kontroll mbi partinë dhe grupin e depuetëve. Në nenin e 57-të të formuluar në statutin e Partisë Socialiste analizohet edhe kontradikta që ka me formulimet kushtetuese.
Autori vë në dukje këtë frazë për të konkretizuar me fakte dhe studime shkencore mbi sundimin absolut të bosave politikë: Në nenin 57 të statutit të Partisë Socialiste thuhet se : “Grupi parlamentar është strukturë politike e partisë që zbaton programin dhe poltikat e saj në veprimtarinë politike”. Sipas kushtetutës deputetët janë përfaqësues të popullit, sipas statusit të partisë janë pjesë e strukturave të partisë!
Në kapitullin e dytë “Zhveshja e qytetarëve nga sovraniteti autori në pamje të parë duket se shqyrton vetëm Kodin Zgjedhor, por në fakt shqyrton marrëdhënien kryetar partie – kandidat për deputet – elektorat. Ka diçka që e shqetëson studiuesin në këtë marrëdhënie është sovraniteti i elektoratit. Zhveshja e elektoratit nga sovraniteti e ka zanafillën pikërisht në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. “Para se të marrë ligjitimitetin nga populli për vlerën e tij politike dhe besueshmërinë politike kandidati duhet ta marrë atë nga partia që e kandidon, më konkretisht nga kryetari i partisë që përfaqëson.”
Artan Fuga në këtë kapitull analizon mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit, i cili me ndryshimet kushtetuese nuk mund të ndodh sepse kryeministri sipas kushtetutës ka të drejtë t`i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj këshillit të Ministrave. Pra kryeministri është kthyer në “Zot” të Kuvendit të Shqipërisë.
Kapitulli i tretë është ndoshta më i rëndësishmi “Modeli ekonomik piramidal”. Defiçiti tregtar import – eksport është edhe një herë një shembull i një ekonomie piramidale bosh nga brenda dhe në ditët e saj më të këqija. Autori arrin në përfundimin se deçiti tregtar import – eksport është plot 3 miliard euro. Një barrë e rëndë për ekonominë në përgjithësi dhe sipërmarrjen dhe konsumatorin në veçanti.
Duke interpretuar statistikat zyrtare arrihet në përfundimin se shoqërisë shqiptare i duhen së paku 2 miliardë euro për të funksionuar. Por ka një zgjidhje se si mund të funksiojnë ekonomia, strategji kombëtare për ekonominë që nëse do fillonte sot do të përfundonte së paku në vitin 2050. Një hendek i madh ekonomik. Si pjesë e sistemit piramidal ekonomik nuk mund të mos përfshiheshin PPP-të.
Ja si e shpjegon autori: “Midis majave të financave dhe majave të administratës publike do të krijohej një lidhje ku vendimarrja publike do të ishte e ndikuar tërësisht nga interesi financiar privat, dhe vendimarrja private do të ishte e ndikuar nga interesi politik i sundimtarëve. Në gjuhën e Arsitotelit, ku sundim politik i financës private quhej oligarki”. Por bosi politik është i lidhur ngushtë me paranë: “Bosi shkruan pa dorashka Max Weberi – kërkon vetëm pushtet, pushtet si burim parash, por gjithashtu pushtet për vetë interesin e tij”.
Kapitulli i katërt “Piramidalizimi i pushtetit vendor” vendos në qendër të analizës reformën e vitit 2014 për ndarjen administrative territoriale. Kjo reformë sipas autorit centralizoi pushtetin vendor në dy mënyra: 1. Bashkitë e qyteteve kontrollojnë dhe kanë pushtetin edhe mbi zonat rurale përreth zonave urbane; 2. Pushteti qendror e ka tashmë dorën e gjatë për të kontrolluar më lehtësisht pushtetin vendor.
Në kapitullin e pestë “Lodhja demokratike e qytetarit dhe kapja nga pakicat e organizuara” duke iu referuar Max Weberit autori thekson se burokracia në Shqipëri i ngjan më shumë një “hordhie” militantësh që kthehen përkohësisht në nëpunës, dhe me ndryshimin e pushteteve, kalojnë përsëri në të papunë ose militant. “Nëpunësi trajtohet si militant elektoralist, kurse qytetari trajtohet si elektorat masiv, si klient, si shqiptar, si popull, si popullsi, si banor, si person me të ardhura të pakta, e kështu me rradhë”.
Kapitulli i gjashtë “Paradoksi i Demokracisë” është pikërisht krahasimi i vitit 1990 me thirrjet në rrugë dhe sheshe: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” me shoqërinë e sotme piramidale që është e zhgënjyer nga Bashkimi Evropian. Autori tërheq vëmendjen se të gjitha ndryshimet ligjore që bën të mundur krijimin e shoqërisë piramidale janë kryer me aprovimin e vendeve perëndimore dhe vetë Bashkimit Europian.
Në kapitullin e fundit “Kundërveprimi i individit ndaj shoqërisë piramidale” shpjegohet se qytetari përjashtohet nga zgjedhjet , dëshpërohet nga politika, braktis mediat dhe shkëputet nga centralizimi i shoqërisë drejt decentralizimit të marrëdhënieve shoqërore me anë të komunikimit në rrjetet sociale. Krijohet dy botë paralele: bota virtuale me komunikim horizontal dhe bota e bosit politik me marrëdhënie horizontale.
Shoqëria Piramidale – Artan Fuga. Tiranë: Papirus, 2019, 348 f.
Ky artikull u shkrua nga Gëzim Hilaj.