
Çipat e trurit nga kompania e Musk, “Të testohet te njerëzit”
Kompania e Musk për implantet truri, Neuralink, ka fituar miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA për të zhvilluar prova klinike në njerëz.
“Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme të ekipit Neuralink në bashkëpunim të ngushtë me FDA dhe paraqet një hap të rëndësishëm të parë që një ditë do të mundësojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz”, njoftoi kompania të enjten në një postim në Twitter.
Kompania e Musk po zhvillon një pajisje të vogël që do të lidhë trurin e njeriut me një kompjuter përmes telave të lidhura me elektroda. Vendosja e pajisjes kërkon një ndërhyrje kirurgjikale në kafkë.
Miratimi “është vërtet një hap i madh”, tha Cristin Welle, një ish-zyrtar i FDA-së dhe profesor i asociuar i neurokirurgjisë dhe fiziologjisë në Universitetin e Kolorados. “Ata tani mund të nisin prova në njerëz, që do të thotë se kanë kaluar testimin paraklinik të sigurisë”, shtoi ajo. Këto prova paraklinike përfshijnë testime të aspekteve mekanike dhe projektuese, si dhe testime të jetëgjatësisë dhe biokompatibilitetit.
Musk, i cili drejton edhe kompaninë prodhuese të makinave Tesla dhe ka ndikim në rrjetin social Twitter, ka deklaruar për vite me radhë se kompania ishte afër marrjes së miratimit nga FDA për provat në njerëz. Qëllimi i pajisjes së kompanisë është të ndihmojë njerëzit me paralizë ose lëndime të trurit të komunikojnë dhe të kontrollojnë një kompjuter duke përdorur vetëm mendimet e tyre. Musk ka gjithashtu sugjeruar se, përveç ndihmës së personave të sëmurë, pajisja mund të hapë rrugën për përparime të mëtejshme të inteligjencës artificiale.
Neuralink nuk është kompania e parë që kryen prova në njerëz për ndërfaqet tru-kompjuter. Fusha ka konkurrencë që prej themelimit të kompanisë. Për shembull, Synchron ka tashmë pacientin e parë të regjistruar në SHBA në një provë klinike, duke vendosur implantin e tyre në një rrugë drejt miratimit rregullator të përdorimit më të gjerë te personat me paralizë.