Sipas Pamela Anderson, pse duhet t’i flasësh vetes para pasqyrës?

Pamela Anderson ka publikuar librin e saj me kujtime “Love, Pamela” dhe dokumentarin në Netflix “Pamela, A Love Story” edhe pse me kaq shumë angazhime, aktorja ka ende kohë për të gjetur dashurinë e vërtetë, si dhe për t’i folur vetes para pasqyrës.

Në një intervistë për Bustle, ajo ka zbuluar ca të pathëna interesante nga jeta e saj dhe mënyrën se si e sheh botën, me një qasje romantike dhe të këndshme. Ajo tregoi se i flet vetes shpesh para pasqyrës dhe ndau disa nga afirmimet që bën para pasqyrës: “Ji guximtare, ndërmerr rreziqe”, shprehet fillimisht, duke vijuar: “Jam gati për dashurinë. Qëllimi im është të jem vetja, ndërsa bota më shtyn, më tërheq dhe më tundon”, përfundon ajo.

Praktika e të folurit para pasqyrës: A është e këshillueshme?

Sipas Tara Well, psikologe e licensuar, shkencëtare hulumtuese dhe profesore në universitetin “Barnard College of Columbia”, pasqyrat mund të zgjojnë ndjesi të forta te ne, duke na ndryshuar edhe perspektivat dhe mënyrën se si ne e shohim veten. Pasqyrat nxjerrin në pah atë që ne përpiqemi t’ia fshehim botës.

Sipas saj, dëshira që të shihemi nga të tjerët është bazike dhe normale. Përdorimi i pasqyrës të ndihmon me vetëreflektimin dhe dashurinë ndaj vetes, pasi mund ta shohësh veten përtej një shëmbëlltyre.

Tara shpjegon se fillimisht njerëzit ndihen si një siklet kur i flasin vetes para pasqyrës dhe kjo është mëse normale. Më pas, mësohesh dhe bën një vështrim edhe më të thellë të botës tënde të brendshme, duke e pranuar dhe dashur veten tënde nga jashtë. Zakonisht, pas një periudhe kohore, ti nuk sheh më imperfeksionet e tua, por përqendrohesh te gjërat e bukura, tek tiparet e tua dhe nis ta pranosh veten dhe të kesh më shumë besim tek aftësitë e tua.

Pse funksionon kjo metodë?

Ekspertët thonë se duke qëndruar përballë shëmbëlltyrës tënde krijon një lidhje më të ngushtë me veten, arrin të menaxhosh më mirë emocionet e tua dhe madje, mund të bëhesh njeri më empatik, pasi mëson se ndjesitë janë të zakonshme për të gjithë, qofshin ato pozitive ose jo.

Ndërsa ne shpenzojmë shumë kohë përballë pajisjeve teknologjike, e humbim paksa sensin e vetvetes dhe mendojmë se reflektimi ynë varet nga këndi i kamerës ose reflektimi që shohim në telefon. Në fakt, të shohësh veten në pasqyrë, tregon jo vetëm një reflektim të ri, por është edhe një mënyrë më e mirë e rilidhjes me veten.

Si ta aplikosh këtë metodë?

Shkruaj qëllimin për të cilin do ta aplikosh metodën dhe kalo kohë me veten para pasqyrës

Merr frymë thellë para se të nisësh t’i flasësh vetes

Përqendrohu te sytë dhe fol me pozitivitet për veten

Shiko nëse po tregohesh kritik/e ndaj vetes

Mbaj mend se ku përqendrohesh më shumë, te defektet apo tek të mirat e tua, për të reflektuar në vijim

Disa afirmime pozitive:

“Sa bukur dukem sot!”

“Më pëlqen shumë fakti që njerëzit mendojnë se jam kaq i/e bukur dhe i/e zgjuar.”

“Jam kaq kreativ/e!”

“Ndihem shumë mirë dhe i/e lumtur!”