
Belgjika miraton propozimin për katër ditë pune në javë
Punonjësit në Belgjikë së shpejti do të jenë në gjendje të zgjedhin një javë katër-ditore në punë, pjesë e një reformë të tregut të punës, të shpallur nga qeveria belge të martën.
Paketa e reformës e mbështetur nga shumica qeverisëse do u japë gjithashtu të drejtën punonjësve që të fikin telefonët apo kompjuterët pas orarit zyrtar dhe të injorojnë mesazhet nga eprorët e tyre që lidhen me punën. Dhe kjo pa frikën e hakmarrjes apo pushimit nga puna.
Kryeministri belg Alexander de Croo teksa njoftoi vendimin në një konferencë për shtyp, tha se me këtë marrëveshje, vendoset një fener për një ekonomi që është më inovative, e qëndrueshme dhe dixhitale.
“Qëllimi është të jemi në gjendje t’i bëjmë njerëzit dhe bizneset më të fortë,” tha ai.
Sipas rregullave të reja, punonjësit me kohë të plotë do të jenë në gjendje të punojnë me orare fleksibël sipas kërkesave. Megjithatë, vënia në praktikë e kësaj reforme mund të zgjasë me muaj, pasi duhet të marrë miratimin e ligjvënësve federalë.