
Belgjika, jo më vendi i “vranësirave”
Autoritetet kanë njoftuar qytetarët belgë që të përgatiten për një periudhë të nxehtë, me temperatura që të kapërcejnë 31 gradë Celsius në Bruksel, qytetin e njohur si “vendi i vranësirave”. Pas disa javësh pa reshje shiu, Instituti Mbretëror i Meteorologjisë në Belgjikë tani paralajmëron se ditët e nxehta me shumë gjasa do të vazhdojnë, duke shqetësuar për një valë të parakohshme të nxehtësisë.
Erërat nga veriu i Francës do të sjellin një masë të nxehtë drejt Belgjikës, duke rritur temperaturat në më shumë se 32 gradë Celsius në disa zona të vendit. Kjo ka sjellë aktivizimin e alarmit me “kodë të verdhë”. Një alarm i nivelit të verdhë, megjithëse nuk tregon një rrezik të madh, ndihmon në informimin e publikut dhe marrjen e masave paraprake, veçanërisht për grupet më të prekshme si të moshuarit, fëmijët dhe ata me sëmundje kronike. Pritet që temperaturat e larta dhe moti i thatë të vazhdojnë për të paktën një javë.
Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Belgjikë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1833 është 40.2 gradë Celsius, e regjistruar në qytetin e Liège në vitin 2019. Rekordi i mëparshëm ishte 38.8 gradë, i cili u regjistrua në vitin 1947 në Angleur. Mungesa e diellit gjatë pranverës ka sjellë një kalim të menjëhershëm në stinën e verës. Gjithashtu, si rezultat i temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, rreziku i zjarreve pyjore është rritur ndjeshëm. Më 30 maj, 170 hektarë pyje dhe zonë bregdetare u shkatërruan nga një zjarr i madh pranë kufirit me Gjermaninë.