Sofía Jirau, modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën Down

Sofía Jirau bëri histori duke u bërë modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën Down.

24-vjeçarja nga Puerto Riko u zgjodh për fushatën e koleksionit ‘Love Cloud’ të markës.

Modelja dhe aktivistja, Sofía, e përshkroi momentin historik si një ëndërr të realizuar dhe tha se shpreson se do t’u kujtojë të tjerëve se gjithçka është e mundur.

“Dua t’i them gjithë botës se njerëzit me gjendjen time, sindromën Down, ne nuk kemi kufij,” tha Jirau. “Njerëzit që kanë sindromën Down si unë, janë të aftë të gjejnë një punë, të krijojnë biznesin e tyre dhe të punojnë shumë si unë.”

Sofía Jirau filloi modelimin tre vjet më parë dhe bëri debutimin e saj në Javën e Modës në Nju Jork në fillim të vitit 2020. Që atëherë, ajo ka vazhduar të përdorë platformën e saj për të inkurajuar të tjerët të ndjekin ëndrrat e tyre, veçanërisht ata me sindromën Down.

“Unë do t’u them të gjithëve që thjesht të ëndërrojnë. Të ëndërrosh, sepse çdo ëndërr mund të realizohet”, vazhdoi Jirau. “Duhet të punosh shumë, duhet të punosh shumë, dhe më shumë. Ëndrra ime e radhës është modelimi në Evropë, Paris dhe Itali.”

Fushata ‘Love Cloud’ është pjesë e nismës së riemërtimit të Victoria Secret që thekson gjithëpërfshirjen dhe diversitetin. Yjet e tjerë të fushatës përfshijnë modelet Valentina Sampaio, Celilo Miles, Hailey Bieber dhe stilistja e aksesorëve Sylvia Buckler.