
SHBA jep $3mld ndihmë ushtarake për Ukrainën
SHBA do t’i dërgojë Ukrainës rreth 3 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake, njoftoi të mërkurën administrata Biden.
Paketa e re e ndihmës prej 2.98 miliardë dollarësh do të “financojë kontrata për tre lloje dronësh dhe armë, municione dhe pajisje të tjera që mund të mos shohin frontin e betejës për një ose dy vite”. Është paketa më e madhe nga SHBA deri më sot.
“Kjo do t’i lejojë Ukrainës të marrë sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme artilerie dhe municione, sisteme ajrore pa pilot dhe radarë për të siguruar që ajo të vazhdojë të mbrohet për një afat të gjatë,” tha Presidenti Biden për donacionin. “Sot dhe çdo ditë, ne qëndrojmë me popullin ukrainas.”
Ndryshe nga paketat e mëparshme, armët do të porositen nga kontraktorë të jashtëm të mbrojtjes, që do të thotë se mund të duhet pak kohë që ato të mbërrijnë në fushën e betejës. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby, vuri në dukje se furnizimet si municionet duhet të jenë të disponueshme menjëherë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu shkroi në Twitter të mërkurën për të falënderuar Presidentin Biden për “paketën e paprecedentë”, duke vënë në dukje se “Së bashku do të fitojmë!”
*TiboNews