
“Nuk paguajmë! Nuk na e mban xhepi!” regjisorja Anila Balla zbret sërish teatrin në rrugë
A e dini se çfarë ndodh me gratë e një qyteti ku çmimet e shportës janë rritur në mënyrë të papërballushme, ku qeratë janë shumë të larta, burrat përballen me shkurtimin e vendeve të punës në fabrikë dhe policia është duke trokitur në çdo derë për të kapur hajdutin?
“Nuk paguajmë! Nuk na e mban xhepi!”, e shkruar nga Dario Fo në 1974 por aq aktuale edhe sot. Një shfaqje jo dhe aq e zakonshme teatri, e sjellë nën regjinë e Anila Ballës dhe përkthyer nga Anxhela Lepuri.
Vepra trajton çështjen e rritjes së çmimeve, përmes historive të familjeve të varfra punëtore të cilat përballë vështirësive revoltohen dhe vjedhin një supermarket. Me situata groteskte dhe komike vepra përmban mesazhe aktuale dhe koherente për situatën në Shqipëri.
Shfaqja përveçse “Tek Bunkeri” nga ku ka qenë pikënisja e shfaqjes, ka lëvizur në 4 lagje të Tiranës, në Laprakë, te ish Parku i autobusave, te oxhaku dhe në qytet studenti.
E veçanta e kësaj shfaqje është edhe se është e ndryshme nga ajo që jemi mësuar të shohim zakonisht. Një teatër që zbret në rrugë, afër publikut.
Edhe pas risjelljes së shfaqjes në data dhe vende të ndryshme, publiku në shfaqjen e fundit të dhënë në qendrën sociale “Tek Bunkeri” tregoi se e do sërish, ndaj alternativa mbetet e hapur.