
Mimoza Dako, themeluesja e shkollës së parë shqipe në Greqi e Zvicër
E lindur dhe rritur në Tiranë, menjëherë pasi kreu studimet në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Mimoza emigroi drejt Greqisë. Prej më shumë se 20 vitesh, Selaniku u bë qyteti i dytë për të, pas Tiranës. Mimoza Dako është nismëtarja dhe themeluesja e “Mësonjëtores së parë shqipe” në të gjithë Greqinë, e cila nisi rrugëtimin e saj më 7 Mars 2001 në qytetin e Selanikut, në Vatrën e Emigrantëve të këtij qyteti. Ajo përfaqësoi për herë të parë mësuesit emigrantë shqiptarë në Kongresin e mësuesve grekë, nga ku dhe pati mbështetje të veçantë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë.
Mimoza Dako vazhdon ta ushtrojë profesionin e mësueses së gjuhës shqipe edhe në në kuadër të Shkollës Shqipe-Zvicër, njëkohësisht dhe si zv. koordinatore e saj me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër.
Për kontributin e saj, ajo është nderuar me titullin” Mësuese e dalluar” nga ministrat e arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu është vlerësuar dhe nga shumë shoqata të emigrantëve shqiptarë në Greqi, bashkëveprimtarë të saj, si dhe nga dekanati i Fakultetit pedagogjik të Universitetit “Aristotelio” në Selanik. Në Samitin e dytë të diasporas, është cilësuar si “Mësuesja e parë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi”. Mimoza shprehet se fëmijët duhet të jenë pjesë e shkollave shqipe në diasporë dhe të mësojnë sa më shumë.