
A është mirë që adoleshentët të pinë kafe?
Shumë fëmijë dhe adoleshentë konsumojnë kafeinë. Burimi kryesor i këtij kimikati janë pijet e gazuara për fëmijët nën 12 vjeç.
Fëmijët dhe adoleshentët gjithashtu mund të marrin kafeinë nga shumë ushqime dhe pije, duke përfshirë çokollatën, qumështin me çokollatë dhe çajin e ftohtë. Për më tepër, disa medikamente pa recetë që fëmijët mund të marrin, si Excedrin, janë burime të rëndësishme të kafeinës. Por kafeja është burimi kryesor i kafeinës tek popullsia 12 vjeç e lart.
Një filxhan kafe në ditë nuk do t’i dëmtojë fëmijët mbi moshën 12 vjeç – për sa kohë që ata shmangin të gjitha burimet e tjera të kafeinës.
Një filxhan kafe e kombinuar me çaj të ftohtë, pije të gazuar ose një çokollatë, mund t’i vendosë fëmijët mbi kufirin ditor prej 100 miligramësh të kafeinës që rekomandojnë mjekët. Të rriturit duhet të synojnë jo më shumë se 400 miligramë kafeinë, të cilën mund ta marrin nga katër filxhanë kafeje.
Dhe meqenëse kafeina është në shumë ushqime dhe pije të ndryshme, është e lehtë për fëmijët ose të rriturit, të marrin më shumë seç duhet pa e kuptuar.
Efektet anësore
Konsumimi i tepërt i kafeinës mund të ketë shumë efekte negative tek fëmijët, si: humori i keq, mungesa e gjumit apo çrregullime të sjelljes (bëhen më të guximshëm se ç’duhet dhe mund të bëhen agresiv).
Kafeja gjithashtu mund t’i bëjë disa fëmijë të ndihen të shqetësuar dhe nervozë. Mund të çrregullojë rrahjet e tyre të zemrës dhe presionin e gjakut. Në disa raste, kafeina e tepërt mund t’i bëjë fëmijët të ndihen sikur kanë përdorur droga të paligjshme.
Mitet e vjetra
Disa të rritur mund t’u thonë fëmijëve se pirja e kafeinës do të pengojë rritjen e tyre. Ka dy arsye pse disa njerëz mendojnë kështu.
Së pari, kafeina mund të zvogëlojë sasinë e kalciumit në kockat tuaja, gjë që njerëzit mendonin se do t’ju pengonte rritjen.
Së dyti, kafeina e konsumuar pasditeve vonë pengon gjumin. Hormoni i rritjes, i cili ju bën të rriteni, lirohet në gjumë, kështu që ideja ishte që më pak gjumë do të çonte në ‘më pak rritje’.
Rezulton se asnjë nga këto shqetësime nuk është e vlefshme. Një studim që ndoqi 81 adoleshentë për gjashtë vjet nuk gjeti asnjë lidhje midis kafeinës dhe densitetit të kockave. Një studim tjetër nuk gjeti asnjë lidhje midis kohëzgjatjes së gjumit dhe rritjes.
Çdo efekt negativ i kafeinës që ata marrin nga ajo goditje e mëngjesit zhduket shumë përpara gjumit.