8 viktima nga përmbytjet në SHBA

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm kanë lënë të paktën tetë të vdekur në Kentakin lindor dhe disa banorë të bllokuar në çati dhe pemë, tha të enjten guvernatori i shtetit jugor të SHBA-së.

“Kjo do të jetë përmbytja më e keqe e kohëve të fundit, shkatërruese dhe vdekjeprurëse,” tha Andy Beshear.

“Ne do të përfundojmë me një numër dyshifror të vdekjeve. Tani për tani, mendoj se mund të konfirmojmë të paktën tetë, por numri po rritet, me sa duket, çdo orë.”

Beshear tha se reaguesit e urgjencës kanë transportuar 20 deri në 30 njerëz.

Më herët, guvernatori tha se njerëzit ishin duke qëndruar në çati dhe duke u ngjitur në pemë, duke pritur që të shpëtoheshin.

Shumë autostrada u ngjanin lumenjve, automjetet e shkatërruara dominonin peizazhin dhe uji me baltë arrinte në çatitë e shtëpive më të ulëta në rajonin Apalachian.

Disa zona raportuan 20 centimetra shi në 24-orë.

Lumi North Fork Kentucky jashtë Whitesburg, zakonisht 30-60 cm i thellë, tani është afër 20 metra, shumë mbi rekordin e tij të mëparshëm prej 14.7 metrash.

Guvernatori tha se ai ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në gjysmën e qarqeve dhe ka vendosur katër helikopterë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Departamenti i Peshqve dhe Kafshëve të Egra në Kentaki dërgoi varka Zodiac për të njëjtin qëllim.

“Ka shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmë”, tha guvernatori. “Ne bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i arritur të gjithë ata.”

“Situata tani është e vështirë,” shtoi ai, duke parashikuar se qindra njerëz do të humbnin shtëpitë e tyre pas shirave të rrëmbyeshëm, një rikuperim që për shumë familje do të marrë “jo muaj, por vite”.

Beshear tha se rreth 25,000 shtëpi mbetën pa energji në të gjithë shtetin dhe shumë pa shërbim uji.

Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi se zona ishte ende në rrezik nga përmbytjet e shpejta dhe paralajmëroi se priten më shumë shira të rrëmbyeshëm.

Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se presidenti Joe Biden është vënë në dijeni të situatës.

Jean-Pierre parashikoi që Deanne Criswell, kreu i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, do të udhëtojë në Kentaki të premten për t’i raportuar presidentit të vendit, Joe Biden.