“Top Gun” përfundon në gjyq për shkelje të të drejtave të autorit

Familja e autorit të artikullit që frymëzoi në vitin 1986 filmin e Tom Cruise “Top Gun” ka hedhur në gjyq kompaninë “Paramount Pictures” për shkelje të të drejtave të autorit pas publikimit të filmit të ri “Top Gun: Maverick”.

Familja ka paraqitur një kallëzim në gjykatën federale të Los Angelesit me pretendimin se “Paramount Pictures” nuk ka ripërtërirë kontratën e vitit 1986 për të drejtat e historisë së shkruar nga izraeliti Ehud Yonay në një artikull në revistën California të vitit 1983.

Kallëzimi i bashkëshortes dhe djalit të Ehud Yonay kërkon kompensim financiar dhe një pjesë të fitimeve të arritura nga kompania “Paramount Pictures” me filmin e nxjerrë së fundmi në kinema.

Në një reagim pas kallëzimit, Paramount tha se pretendimet janë të pabaza, pasi filmi i ri nuk ka lidhje me bazën e historisë së vitit 1983. Kompania theksoi se në filmat e shkuar ajo ia ka njohur dhe mbishkruajtur autorësinë Yonaysit.

Por familja e tij pretendon se i ka kërkuar rishikimin e të drejtave që në vitin 2020 kur qe njohur me faktin se po punohej për një film të ri.

“Top Gun: Maverick” është filmi me xhiron më të majme në kinema, pasi sipas raportimeve ka xhiruar rreth 550 milionë dollarë në vetëm 10 ditët e para që është shfaqur në gjithë botën.

Filmi aksion drejtohet nga regjisori Joseph Kosinksi dhe ka marrë vlerësime të shumta. Ai ka në qendër një pilot avionësh që interpretohet nga Tom Cruise. Për këtë të fundit ky është filmi me më shumë arkëtime që pas filmit “War of the Worlds” në vitin 2005.