Thesaret historike të Emirateve të Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë festuar 50-vjetorin e pavarësisë së tyre, por Abu Dhabi e ka të kaluarën shekullore.

Është një nga emiratet më të mëdha dhe krenohet me një listë të madhe të zonave të mbrojtura nga UNESCO, të cilat tregojnë historinë e vjetër të popullsisë së këtij vendi dhe njëkohësisht lidhjen e tyre me tokën dhe me detin.

 

  • Qasr Al Hosn

Pallati Hosn i shekullit të 18-të, ose Qasr al Hosn, u ndërtua fillimisht si një kullë e vetme vrojtimi, por pas shumë kohësh u bë selia e pushtetit, deri në fund të viteve 1960.

Sot, pallati mbetet një atraksion kyç jo vetëm për turistët, por edhe për banorët e Emirateve të Bashkuara, të cilët vijnë dhe ulen në kafenenë e pallatit për të shijuar vendin për të cilin kanë dëgjuar të flasin me kaq mall paraardhësit e tyre.

 

  • Al Ain Oasis

I pari nga vendet e UNESCO-s në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte Oaza Al Ain.

Vendosur në zemër të vendit, oaza daton më shumë se 4000 vjet më parë dhe është dëshmi e një prej sistemeve të para të ujitjes të kohëve moderne.

Sistemi, i njohur si “falaj”, merrte ujin nga malet e afërta Hajar, nëpërmjet një sërë rrugësh të ngushta ujore të dukshme ende sot.

Vizitorët mund të ndjekin shtigje ecjeje përmes zonës që mbulon mbi 1200 hektarë dhe përmban më shumë se 147 000 palma dhe 100 lloje hurmash.

 

  • Bidaa Bint Saud

Një thesar për adhuruesit e arkeologjisë konsiderohet Bidaa Bint Saud, një vend i lashtë që ndodhet 25 kilometra në veri të Al Ain.

Zona dikur ishte vendbanimi i një komuniteti të madh fermerësh që shtriheshin deri në Emiratet veriore dhe që shfrytëzonin rrjetin e sistemeve të ujitjes ‘falaj’.

Aty gjendet një ndërtesë e rrallë e epokës së hekurit dhe varre 5000-vjeçare të epokës së bronzit.