
“The wilderness of Vjosa – Narta”, ekspozita që reflekton realitetin e ekosistemeve
“The wilderness of Vjosa – Narta”, një ekspozitë me fokus natyrën në formën më të qashtër të saj dhe përkujdesjen e nevojshme që i duhet dedikuar, u vendos në Destil nga 15 dhjetori deri më 15 janar.
Në “Egërsinë e Vjosës” gjenden paraqitjet vizuale që reflektojnë mbi realitetin e këtyre ekosistemeve. Zonë e egër quhet ajo zonë që kryesisht i mungojnë rrugët, ndërtesat dhe strukturat e tjera artificiale. Ato sigurojnë një mjedis natyror për speciet bimore dhe shtazore si dhe i lejojnë shkencëtarët të studiojnë ekosistemet e shëndetshme.
“Egërsia e Vjosës-Narta” është një tregim vizual i jetës së egër të mbrojtur Vjosë-Nartë rrëfyer nga dora dhe zërat e atyre që kujdesen dhe kanë përzemër natyrën, aktivistët dhe studiuesit mjedisorë të PPNEA (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri).
Ilustrimet e shpendëve të lagunës së Nartës janë të skicuara nga Stoyan C. Nikolov , fotografitë dhe videot e shkrepura gjatë ekspeditave monitoruese të shpendëve kanë ardhur nga duart e Zydjon Vorpsit , Xhemal Xherrit, Svetoslav Spasov, Lulzim Demati dhe Arian Mavriqit (WildLife Albanian Photographers) së bashku me citate të Udhëzuesit të Shpendëve të Shqipërisë përgatitur nga Mirjan Topi dhe Stoyan C. Nikolov të cilat u përzgjodhën me shumë kujdes nga kuratorja Donika Çina për të transformuar bistron e Destil Creative Hub në një ambient eksplorimi dhe zhytjeje në botën e egër të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ilustrimet e vendosura, bashkë me objektet, ndërhyrje e dëshmitët e Prof. asoc. Dr. Nebi Bardhoshit dhe aktivistëve të tjerë mjedisorë, Joni dhe Xherri kanë treguar përgjatë një muaji një këndvështrim njerëzor mbi atë që njeriu duhet të mbrojë nga vetvetja.