Shqipëria gati të riaktivizojë industrinë ushtarake

Shqipëria është gati të riaktivizojë industrinë ushtarake. Këtë deklaroi ministri Niko Peleshi për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, duke shtuar se qeveria është e hapur dhe në pritje të interesimeve për të zhvilluar industrinë ushtarake dhe për të plotësuar kërkesat në rritje të tregut si pasojë e konflikteve.

“Shqipëria është nga vendet e pakta në rajon dhe Europë që nuk e ka të zhvilluar, e ka të fjetur industrinë e vet të dikurshme ushtarake. Natyrisht ka nevojë për investime, për investitorë. Nuk mund të zhvillohet kjo sipërmarrje private nga shteti apo ish-ndërmarrjet shtetërore. Ndërmarrjet shtetërore i kemi në një proces të paktën në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes në një proces transforimimi në shoqëri aksionere, pra për të marrë një trajtë komerciale dhe padyshim jemi të hapur edhe në pritje të ofertave dhe interesimeve të cilat nuk mungojnë nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, por pse jo kombëtar për ta riaktivzuar përmes investimeve dhe për ta vënë në punë apo për ta zhvilluar industri të reja ushtarake në plotësim edhe të kërkesave në rritje të tregut”.

Peleshi tha se ka pasur interesime konkrete vitet e fundit teksa kompani të huaja kanë ardhur dhe kanë vizituar potencialin e industrisë në Shqipëri. Për këtë arsye, Peleshi shtoi se vitin e kaluar qeveria  i ka bërë industrisë ushtarake një vlerësim në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s në mënyrë që të dimë sa më mirë se cila është vlera që kemi dhe sa investime do duhen për ta vënë në punë.