
Rikthehet festivali ‘Holi’ pas dy vitesh pandemie
Dhjetëra miliona njerëz në Indi lyen njëri-tjetrin me nuanca ngjyrash të ndezura për të shënuar festivalin hindu të ngjyrave, pas festimeve të heshtura gjatë dy viteve të fundit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Holi është një nga festat kryesore hindu dhe festohet me shumë bujë në të gjithë vendin për të mirëpritur pranverën dhe për të festuar dashurinë e përjetshme të hyjnisë mitike Krishna dhe bashkëshortes së tij Radha.
Hinduistët kryen gjithashtu rituale fetare dhe bënë zjarre, një ngjarje e rëndësishme një natë përpara Holit, për të nënkuptuar triumfin e së mirës mbi të keqen.
Festimet u penguan nga pandemia në dy vitet e fundit pasi kufizimet për të ndaluar përhapjen e virusit ishin vendosur në të gjithë vendin.
Në qytetet e shenjta hindu të Vrindavan dhe Mathura, që besohet të jetë vendlindja e Krishna, qindra mijëra besimtarë u mblodhën jashtë tempujve ku luanin Holi me ngjyra dhe petale lulesh.
Në Kerala, njerëzit festuan festivalin në një mënyrë tradicionale duke spërkatur ujë të përzier me pluhur shafrani të Indisë.
Festivali, ndonëse festohej për dy ditë në të gjithë vendin, filloi një muaj më parë në Vrindavan, ku gratë luanin Lathmar Holi, e përkthyer “rrahje me shkopinj”, ndërsa ndoqën burrat me shkopinj, një rikrijim i gëzimeve të Krishna dhe Radha.
Shumë vejusha thyen normat shoqërore hindu duke lyer me ngjyra të ndezura njëra-tjetrën. Ato tradicionalisht duhet të qëndrojnë brenda, pasi prania e tyre konsiderohet të sjellë fat të keq.