“Një muaj me një karikim”, tregu i makinave elektrike pritet të ndryshojë rrënjësisht

Quhet “Lightyear One” kushton €150,000 dhe synon të jetë modeli i makinës që do të ndryshojë rrënjësisht tregun, pasi mund të rezultojë në modelin më të qëndrueshëm në historinë e prodhimit të automjeteve.

E konceptuar të punojë me energji diellore, prodhuesit e saj thonë se ajo përshkroi 400 kilometra me shpejtësi mesatare 130 km/orë përpara se të rimbushte bateritë në qytetin italian të Aprilias. Testet e mëparshme me një shpejtësi më të ulët prodhuan një rezultat prej më shumë se 700 kilometrash rrugë pa nevojë rikarikimi.

Kompania Lightyear pretendon se makina e saj do t’i lejojë klientëve të “ngasin me muaj pa karikim” dhe shpreson që t’i ketë gati porositë e para brenda këtij viti. Porositë për makina kanë nisur prej kohësh në faqen e internetit të kompanisë.

Krahasuar me makinat e tjera elektrike me bateri të ngjashme, modeli Lightyear mund të përshkojë deri në 1.5 herë më shumë distancë. Kompania synon ta vijojë më tej reduktimin e konsumit të energjisë nën 141 vat për kilometër me objektivin për ta kthyer atë në makinën më efiçente në botë.

Vlen të thuhet se modeli “Lightyear One” nuk do të jetë makina e parë në seri me energji diellore që do të dalë në treg, por ajo do të jetë e para me katër rrota e aftë për të transportuar më shumë se një pasagjer.

Prej vitesh kompani të ndryshme po mundohen të prodhojnë modele makinash që nuk kanë nevojë as për karikim për të lëvizur. Përpara “Lightyear” ishte kompania “Aptera” me bazë në Kaliforni, e cila e shiti serinë e parë të makinave të saj me energji diellore brenda 24 orëve nga botimi i ofertave në vitin 2020. Por modeli “Never Charge” i Apteras ishte me tre rrota dhe me vetëm një person.

Aptera krenohet me rezultatin prej 1,600 kilometrash të përshkuara me një karikim dhe me faktin se çmimi i modelit të saj shkon në 26 mijë dollarë.

Vërtetë, me një makinë të tillë nuk zgjidh shumë nevoja, por e sigurt është se me këtë ritëm kompani si Aptera dhe Lightyear shumë shpejt do të mund të na ofrojnë makina që nuk ndotin dhe nuk konsumojnë fare energji.