NASA e shqetësuar, SpaceX kërkon leje për 30 mijë satelitë

Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, ka ngritur shqetësime në lidhje me planin e SpaceX për të hedhur në orbitë edhe 30,000 satelitë në kuadër të projektit Starlink.

Programi SpaceX i Elon Musk synon shpërndarjen e internetit me fluks të lartë përmes një morie satelitësh. Deri më tani programi ka marrë leje për lëshimin e 12 mijë satelitëve nga të cilët aktualisht ka lëshuar rreth 1,500.

Mirëpo së fundmi SpaceX ka nisur gjeneratën e dytë që parashikon zgjerim të objekteve të saj në orbitë.

NASA u shpreh përmes një komunikimi për shtyp se aktualisht në gjithë orbitën janë rreth 25 mijë objekte, ndërkohë që në lartësinë 600 kilometra janë rreth 6 mijë të tjerë. Numri i kërkuar nga SpaceX do të dyfishonte objektet në hapësirë duke cenuar kryesisht vëzhgimet astronomike.

Por përveç vëzhguesve të hapësirës, edhe Amazon ka shfaqur shqetësime. Kompania e cila është zotuar të shpenzojë të paktën 10 miliardë dollarë për të ndërtuar edhe ajo rreth 3,200 satelitë të ngjashëm përmes programit të tij Project Kuiper, thotë se satelitët e SpaceX mund të rrezikojnë satelitët e saj.

Të paktën qindra mund të operojnë në të njëjtat lartësi si sistemi Kuiper.

Ndonëse vendosja është jashtëzakonisht e kushtueshme, teknologjia satelitore mund të sigurojë internet me shpejtësi të lartë për njerëzit që jetojnë në vende rurale, vende ku kabllot me fibra optike dhe antenat celulare nuk arrijnë apo vende të cilat trazohen nga fatkeqësi të shpeshta natyrore.