
Mobilizimi ushtarak nxit eksod në Rusi
Kufijtë e Rusisë regjistruan trafik të shtuar këtë javë, pasi Presidenti Vladimir Putin njoftoi planin për të mobilizuar pjesërisht rreth 300 mijë ushtarë rezervë për luftën në Ukrainë.
Reuters tregoi për trafik të rënduar në kufirin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ku për persona të ndryshëm kalimi në anën tjetër zgjati deri në 12 orë.
Një nga udhëtarët i tha Reuters se kufitarët po i vononin kalimet qëllimisht.
Skenë e ngjashme u vu re edhe në kufirin me Finlandën. Disa nga udhëtarët thanë për Reuters se arsyeja e largimit ishte frika nga thirrja për të vajtur në luftë.
Disa u shprehën se mobilizimi ushtarak i Putin ishte një vendim i gabuar për Rusinë, Evropën dhe sidomos popullin ukrainas.
Njoftimi i Putinit të mërkurën ngriti frikën se burrat në moshë për ushtri nuk do të lejoheshin të largoheshin nga vendi.
Kjo nxiti spekulimet dhe po kështu rritjen e çmimit të biletave nga 5,000 deri në 9,000 dollarë për të udhëtuar drejt vendeve të afërta jashtë Rusisë.
Plot të rinj u panë të vërshonin në aeroportin e Stambollit në Turqi, apo atë të Beogradit, në Rusi.
Disa prej tyre thanë për mediat lokale se nuk e kishin besuar se një ditë e tillë do të vinte për rusët, në kohën kur nisi konflikti me Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy paralajmëroi qytetarët rusë se lufta po kalonte tani në pragun e tyre. Në një konferencë për shtyp ai tha se mobilizimi i rezervistëve ishte një hap drejt “pranimit se ushtria ruse ka dështuar” dhe po kështu se “propaganda për luftën ka rënë”.
Në një telefonatë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se lajmet për largimin e burrave nga vendi ishin ekzagjerime. Ai këmbënguli se shumë prej raportimeve ishin lajme të rreme dhe se disa nga personat që janë nxitur të udhëtojnë jashtë janë keqinformuar.
Peskov gjithashtu bëri të qartë se Rusia ende po e quan konfliktin me Ukrainën një “operacion ushtarak special” dhe jo një luftë.