Kompania Tesla paditet për diskriminim racor

Autoritetet në Kaliforni kanë vendosur të ngrenë padi ndaj kompanisë së njohur Tesla për diskriminim dhe ngacmim sistematik racor. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë kompania e prodhimit të makinave elektrike.

Çështja ka të bëjë me një nga fabrikat e Teslas në Fremont të kontesë së Almedas ku mes viteve 2015-2019 janë raportuar sjellje të pahijshme ndaj punonjësve me ngjyrë. Pretendimet janë dërguar në Departamentin e Punësimit dhe Strehimit.

Kompania Tesla tha në një njoftim për shtyp se nuk i janë dhënë detaje rreth padisë. Ata thanë se departamenti ka hetuar edhe më parë rreth akuzave për ngacmim dhe diskriminim racor, por që në fund nuk ka gjetur të dhëna bindëse se ato kanë ndodhur vërtetë.

Tesla është përballur shpesh me akuza të ngjashme për sjellje të pahijshme ndaj punonjësve.

Vitin e kaluar dy gra e paditën kompaninë me pretendimet se administrata kishte krijuar “mjedis pune armiqësor” ndaj vajzave në uzinën e Fremontit.

Tetorin e vitit të kaluar, një punëtor me ngjyrë fitoi 137 milionë dollarë dëmshpërblim për racizmin që kishte vuajtur gjatë kohës kur kishte qenë nën kontratë pune.

Aksionarët e Teslas miratuan më pas një propozim duke i kërkuar kompanisë të publikojë një raport mbi diversitetin dhe përpjekjet e saj për gjithë-përfshirje.

Tesla, e themeluar në fillim-vitet 2000 me bazë në Austin të Teksasit, zotërohet nga manjati amerikan i teknologjisë, Elon Musk. Në vetëm 18 vite kompania ia ka dalë të shumëfishojë deri në  mbi 6 miliardë dollarë të ardhurat vjetore falë prodhimit deri në mbi 900 mijë makina elektrike në vit.