Foto/ Plagosi ish të dashurën para krimit të dyfishtë në familje. Detaje nga ngjarja në Paskuqan

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë në ndodhur pasditen e sotme në Paskuqan. Një 40 vjeçar i identifikuar nga policia si Dan Hutra, ka qëlluar me armë të tipit kallashnikov ish bashkëjetuesen e tij dhe familjarë të saj. Si pasojë e të shtënave, kanë ndërruar jetë Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij), dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Ndërsa ka mbetur e plagosur ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, autori i krimit është arratisur, ndërkohë që policia është vënë pas për kapjen e tij. Fotot e 40 vjeçarit janë shpërndarë kudo në rrjetet sociale, të përfshirë tashmë në një debat të nxehtë.

Misteri shtohet pasi po në atë zonë, konkretisht në në rrugën “Besëlidhja”, në rrethana ende të paqarta, në oborrin e shtëpisë është gjetur e pajetë një 31 vjeçare me emrin Etleva Kurti. Policia shprehet se deri më tani nuk është gjetur një lidhje mes dy krimeve. Por Policia ka zbuluar detaje të tjera, pasi mësohet se autori i dyshuar ka plagosur edhe ish të dashurën e tij, Marjana.G 40 vjeçe e cila ndodhet në spital.

Ndërkohë që pritet që ngjarja të zbardhet e plotë, mediat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, teksa pyesin familjarë, fqinj dhe të afërm, duke bombarduar me pyetje, edhe për të nxjerrë detaje të reja.

Sa i përket autorit të dyshuar të ngjarjes, policia njofton se ai është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

Shumëkush mund të shtrojë pyetjen: Çfarë parashikon ligji për persona të dënuar për vrasje dhe kush e cakton nivelin e rrezikshmërisë së tyre? A bëhet një vlerësim psikologjik apo psikiatrik teksa ndodhen në qelitë e dënimit? Si integrohen ata në shoqëri?

Njoftimi i plotë nga policia si më poshtë:

Paskuqan, Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja  e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij.

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

—-

Ndërkohë, në Kamzë, në rrugën “Besëlidhja”, në rrethana ende të paqarta, në oborrin e banesës, është vrarë me armë zjarri shtetasja Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për identifikimin e autorit/ëve të dyshuar.

Informacion me të detajuar do të japim në vijim.

*Tibo News