Drejtues Komisariatesh të kapur me presh në duar, Balla paralajmëron ‘lëvizje në themele’

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kërkuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që të ngrejë stekën në goditjen e korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, duke tejkaluar nivelin e derisotëm të shefave të Komisariatit.

Deklarata e Ballës u bë gjatë ceremonisë së certifikimit të punonjësve të trajnuar nga ICITAP në radhët e AMP-së.

“Kur erdha në korrik ju pyeta për Drejtorë dhe Shefa Komisariatesh të proceduar nga ana juaj. Më vjen mirë që në këto muaj kemi patur shefa Komisariati apo shefa Sektori të Policisë së Shtetit të kapur me presh në duar, por duhen edhe më shumë rezultate, edhe në nivele më të larta”.

Deklarata e Ballës paralajmëron ndryshime të mëdha dhe lëvizje në rangjet e larta të Policisë. Ndërkohë që në ceremoni ishin të pranishëm i Ngarkuari me Punë i SHBA-ve në Tiranë, Ëisner, deputetë e zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, drejtues të misionit ICITAP e të tjerë.

Ministri Balla tha se AMP ka 50% më shumë referime në këto 7 muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me pothuaj 2 herë më shumë punonjës policie të referuar, në total 257 dhe ndër ta 78 punonjës janë arrestuar apo apo kanë marrë masa sigurie.

Ministri shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, agjencitë e saj si Ambasadën në Tiranë, duke nënvizuar asistencën e vazhdueshme të programit ICITAP në Shqipëri, në fuqizimin, modernizimin dhe në konsolidimin e kapaciteteve hetimore të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.