AlbanianEnglish

Brad Pitt shet kompaninë “Plan B” për rreth $300 mln

E ardhmja e kinematografisë dhe televizionit duket se parashikon zhvillime interesante, kjo pasi një nga prodhuesit më të mëdhenj të pavarur në ShBA ka vendosur të kalojë nën ombrellën e një konglomerati europian.

Bëhet fjalë për kompaninë e Brad Pitt, “Plan B” dhe kompaninë franceze Mediawan të cilat kanë nënshkruar së fundmi një kontratë blerjeje aksionesh.

Mediawan nuk bëri të ditur vlerësimin zyrtar të marrëveshjes, por The Financial Times raportoi se “Plan B” mund të jetë vlerësuar rreth 300 milionë dollarë.

Blerja e shumicës së aksioneve është bërë pjesërisht duke dhënë në këmbim aksione në Mediawan, duke bërë kështu që tre drejtuesit e “Plan B”, Brad Pitt, Dede Gardner dhe Jeremy Kleiner, të bëhen gjithashtu aksionerë të Mediawan.

Kjo është marrëveshja më e fundit prej një varg blerjesh të studiove të pavarura të prodhimit, që kërkojnë të përfitojnë nga oreksi për përmbajtje në Hollywood.

Vitin e kaluar, kompania Candle Media bleu Hello Sunshine të aktores Reese Witherspoon, kjo kompani prodhon emisionin “The Morning Show” në Apple TV+. Marrëveshja u raportua të ishte rreth 900 milionë dollarë.

Pitt e themeloi kompaninë “Plan B” në vitin 2001 me ish-gruan, Jennifer Aniston dhe menaxherin e tij të atëhershëm Brad Grey, i cili vdiq në vitin 2017. Pitt u bë pronari i vetëm pasi ai dhe Aniston u divorcuan.

Gjatë dy dekadave të fundit kompania e produksionit “Plan B” ka ndihmuar në realizimin e filmave dhe serialeve televizive, duke përfshirë filmat fitues të Oscar si “The Departed”, “12 Years a Slave” dhe “Moonlight”.

“Plan B” ka prodhuar disa filma të vlerësuar edhe këtë vit, duke përfshirë dramën e Netflix, Marilyn Monroe, Blonde, dhe dramën investigative “She Said” për Universal Pictures, për dy gazetarët që raportuan historinë e Harvey Weinstein duke nxitur fushatën #MeToo.

E themeluar në vitin 2015 nga Pierre-Antoine Capton, miliarderi i telekomit Xavier Niel dhe Matthieu Pigasse, Mediawan me qendër në Paris kontrollon disa kompani shpërndarjeje dhe prodhimi në të gjithë Evropën, të cilat kanë mbështetur projekte duke përfshirë serinë jashtëzakonisht të njohur “Call My Agent!”.

Duke bashkuar forcat me “Plan B”, Mediawan po zgjerohet përtej tregjeve të saj kryesore evropiane në SHBA. Kështu një entitet i sapokrijuar, Mediawan US, do të koordinojë projektet e grupit dhe zhvillimet e ardhshme në SHBA.

Ajo që shënon mbi të gjitha kjo marrëveshje është krijimi i një partneriteti të paprecedentë midis dy prej prodhuesve më të rëndësishëm të pavarur në Evropë dhe SHBA.

“Kinemaja po bëhet ndërkombëtare. Talentet po shfaqen në të gjithë botën,” tha Pitt në një intervistë për gazetën Le Parisien.

You don't have permission to register