
Berisha me koalicionin e tij, gati emrat e kandidatëve të bashkive
Koalicioni i ish-kryeministrit, Sali Berisha me PL-në, PDK-në dhe PBDNJ-në, “Bashkë fitojmë”, do të dorëzojnë zyrtarisht të hënën në KQZ emrat e kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe këshillave bashkiakë.
Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se plotësimi i vendeve në këshillat bashkiakë do bëhet sipas përqindjes që secila forcë politike ka marrë në zgjedhjet e vitit 2015 në secilën prej bashkive të Shqipërisë.
Referuar betejës ligjore dhe në KQZ me grupimin e Alibeja, Berisha sulmoi ish kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe kreun e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
“Alibasha, i lidhur në krim me Edi Ramën siç e kam denoncuar bashkë me Lul Bravën, po zbatojnë rigorozisht urdhrat e tyre. Nëse më pyet nëse humbet gjë PD, ju garantoj se vetëm fiton. PD ndahet përfundimisht nga një grup, nga disa pengje të shpërfytyruara, të marrë peng nga Edi Rama për lidhjet me krimet, për aktivitetet e tyre kriminale ose të familjarëve të tyre të ngushtë. Në këtë aspekt, PD vazhdon si lokomotivë e idealeve, aspiratave më të mira të shqiptarëve. Kjo që unë denoncova tani, pseudoshitjen me 9 milionë, siç shitet dhe blihet televizioni, shitet dhe blihet kryetari i PD i emëruar nga Edi Rama”.
Ndërkaq, Belind Këlliçi dhe Luçiano Boçi kanë dorëzuar mandatet e deputetit, pasi do kandidojnë për kryetarë bashkie në Tiranë dhe Elbasan, pjesë e koalicionit BF.
*Tibo News