AlbanianEnglish

‘Zvarriten’ restaurimet e banesave muzeale

Procesi i restaurimit të banesave në lagjet e qyteteve muzale ekspozon nga njëra anë pamundësinë ekonomike të banorëve dhe ana tjetër, burokracitë e shumta për finalizimin e procedurave.

“Fillimisht duhet të gjesh specialistët. Kjo është sfida e parë”, rrëfen Arjani, banor i Lagjes Mangalem, në Berat.

“Kur mundesh t’i sigurosh do të presësh projektin që ata do të hartojnë për restaurimin. Më pas duhet të futesh në programin e drejtorisë së Beratit. Ata do të plotësojnë dosjen për në Institut [Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore]”, vijon rrëfimin.

“Më pas pritet miratimi atje, që do të shoqërohet me preventivin përkatës dhe pastaj mund të nisësh restaurimin. Mos të harrojmë që duhet të gjesh edhe specialistët restaurator”, përfundon Arjani, duke shpjeguar kalvarin e restaurimit të një banese Monument Kulture që së paku merr disa muaj kohë.

Burri e përmbylli bisedën duke treguar se mbetet në pritje të procesit të restaurimit me mbështetjen e qeverisë sepse si shumë pronarë të tjerë nuk mundet të ndërhyjë vetëm me të ardhurat familjare.

Sipërmarrës që i kanë kthyer banesat karakteristike të Beratit në bujtina apo hotele shpjeguan për Median Amfora se ata do të preferonin që mos të merrnin shpërblim financiar nga qeveria, por vetëm përshpejtim të procedurave administrative, pasi kthimi i investimit është më i shpejtë se koha e pritjes, duke marrë parasysh sezonin turistik.

“Po gjithë kohën në pritje të projektit, pasi aq specialistë janë. Po edhe kur bëhet projekti, më pas do të pritet lëvrimi i fondit nga ministria, që të nisi puna”, rrëfeu një banor i lagjes “Kala”, pa dashur të identifikohet.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Berat, vepron mbi bazën e një planifikimi vjetor për projektet që harton. Ai realizohet çdo fillim viti dhe pronarët e banesave shpresojnë që të kenë mundësinë të përfshihen në të.

Pas planifikimit vjetor ngrihen grupet e punës, të cilat duhet të përballojnë nevojat e objekteve të lagjeve muzeale, por edhe ato të shpërndara në të gjithë territorin. Qarku i Beratit numëron 481 monumente, nga të cilat 122 janë të Kategorisë së Parë dhe 359 të Kategorisë së Dytë.

Pas hartimit të projekteve ato përcillen nga drejtoria në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe vetëm pas miratimit të projektit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, pritet lëvrimi i fondeve nga Ministria e Kulturës për nisjen e punimeve.

Por edhe nëse pronarët e banesave muzeale janë të gatshëm që ta financojnë tërësisht vetë restaurimin e banesës, procedura që ndiqet është e njëjta, duke i lënë shumë banesa muze në pritje për disa muaj dhe deri në vite të tëra.

“Procesi është i njëjtë. Pronari i një banese mund të bëhet palë në procesin që ndjek drejtoria, apo mund të sigurojë edhe specialistë në mënyrë private, por do t’i nënshtrohet të njëjtit proces, që kërkon kohën e vet”, shpjegoi për Median Amfora, Eugen Kallfani, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Berat.

Numri i konsiderueshëm i objekteve të shpallura monument kulture dhe nevojat që ato kanë për ndëhyrje është në disproporcion me numrin e pakët të specialistëve të fushës, duke sjellë që brenda një viti shumë pak banesa muzeale të përfshihen në listat përfituese për ndërhyrje.

Sipas të dhënave zyrtare të DRTK Berat në tre vitet e fundit janë realizuar 60 ndërhyrje restauruese dhe mirëmbajtjeje, nga të cilat 10 ndërhyrje kanë qenë për restaurimin e çative dhe pjesa tjetër për mirëmbajtjen e fasadave, dyerve, dritareve dhe elementëve të tjerë.

Në pesëmujorin e parë të vitit 2021 DRTK Berat mori miratimin për të ndërhyrë në 4 objekte në gjendje risku, për të cilat nisi puna dhe deri në fund të vitit të kaluar hartoi projektet edhe për 4 banesa të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare marrë nga DRTK Berat, numërohen 411 monumente kulture, banesa dhe objekte kulti, ndër të cilat 52 janë të Kategorisë së Parë dhe 359 të Kategorisë së Dytë, shpërndarë në tre lagjet muzeale. Ndërsa 20 prej tyre klasifikohen me nevoja emergjente për ndërhyrje.

Përfundimi i punimeve për restaurimin e fasadave të banesave Çakaresko dhe Kondakçiu, në lagjen “Kala” të qytetit të mbrojtur nga UNESCO i ka dhënë zonës një imazh krejtësisht tjetër. Dy banesat janë restauruar së fundmi dhe kjo për banorët e lagjes është gjëja më e mirë që ka ndodhur, pasi dy objektet kanë pamje gati të re.

Në fund të vitit 2021 Ministria e Kulturës prezantoi nismën, “Bonusi i Rijetëzimit”, një formë granti për individët që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve, por pa dhënë detaje të mëtejshme për procedurat e përfitimit.

Burokracitë e shumta dhe mungesa e financimeve u evidentua si problem nga pronarët e banesave përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora, ku renditeshin disa nga sfidat për trashëgiminë kulturore materiale.

Shqipëria numëron rreth 1300 banesa të shpallura monumente kulture, por pjesa më e madhe e tyre janë lënë në mëshirë të fatit dhe projektet e restaurimit kanë mbetur në letër. Në një shkrim të publikuar më herët nga Media Amfora rezultoi se 31 objekte, kryesisht banesa, u hoqën nga lista e Monumenteve të Kulturës në Tiranë, 5 në Shkodër, 2 në Gjirokastër, 1 në Berat dhe 1 në Elbasan.

Përveç humbjes së vlerave që përfaqësojnë banesat në qytetet muzeale si Berati dhe Gjirokastra, ekspertët e trashëgimisë kulturore, artiketët dhe njohësit e tjerë të fushës sugjeruan në një forum të organizuar nga Media Amfora, se duheshin ulur burokracitë për ndërhyrjet restauruese në banesat me status Monument Kulture. /amfora.al

You don't have permission to register