Zjarri në qendrën tregtare në Lushnje, 40 persona kërkuan ndihmë në spital

Ka shkuar në 40 numri i qytetarëve të shtruar në spitalin e Lushnjes, të cilët mbetën të asfiksuar nga zjarri i rënë këtë të hënë në një qendër tregtare të këtij qyteti. Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, në një prononcim për Klan News tha se të gjithë qytetarët janë jashtë rrezikut për jetën. Ajo vlerësoi punën e bluzave të bardha, ashtu sikurse shërbimet zjarrfikëse të cilët tha se kanë bërë një punë heroike. Sapo kam vizituar të gjithë qytetarët të cilët janë drejtuar spitalit të Lushnjes për të marrë ndihmën e parë e mjekësore.

Jam këtu së bashku me mjekët që kanë asistuar në linjë të parë, të gjithë ata qytetarë që kanë pasur nevojë për ndërhyrje të menjëhershme dhe për dërgim pranë spitalit të Lushnjes. Për fat të mirë situata paraqitet e mirë për të gjithë.

Të gjithë janë asistuar me gjithë ndërhyrjen e nevojshme shëndetësore. Aktualisht nuk kemi asnjë rast i cili të jetë në rrezik për jetën.

Sigurisht që po vijohen të asistohen të gjithë qytetarët që janë drejtuar spitalit të Lushnjes dhe dua të bëj një falenderim të jashtëzakonshëm për të gjithë ekipin e mjekëve dhe bluzave të bardha që janë këtu në gatishmëri të plotë dhe gjithashtu për zjarrfikësit i kemi vizituar një nga një, kanë bërë një punë heroike për të ndihmuar të gjithë qytetarët që kanë qenë në rrezik në këtë situatë të paprecedentë.

Për fat të mirë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe ata dhe gjithë qytetarët që janë drejtuar këtu. Deri në këto momente janë rreth 40 qytetarë që i janë drejtuar spitalit të Lushnjes për të marrë ndihmën e parë mjekësore”.
Në mesin e personave të asfiksuar, të paktën 3 janë fëmijë, ndërsa 4 prej tyre janë punonjës të zjarrfikëses.