“Yjet e Sportit 2023”, Manastirliu: Ligji i ri i Sportit do mbështesë edhe sportistët me aftësi të veçanta

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës në mbrëmjen e “Yjeve të Sportit 2023” ku i dorëzoi çmimin për arritjet e tyre dy sportistëve të Olimipikut Special, notarit Gersi Troka dhe peshëngritësit Adi Sula, deklaroi se së shpejti Ligji i Sportit do të përfshijë dhe mbështetjen për personat me aftësi të veçantë.

“Gersi dhe Adi janë dy kampionë në sport, por në fakt janë edhe dy kampionë në jetë. Ne jemi të angazhuar të mbështesim personat me aftësi të veçanta për të shpalosur potencialin e tyre dhe do të bëjmë të mundur që me ndryshimet në Ligjin për Sportin, të cilat jemi duke i përgatitur, edhe Olimpikun Special ta përfshijmë në ligj në mënyrë që ata të kenë mbështetjen e duhur”, tha Manastirliu.

Gjithashtu Ministrja Manastirliu foli edhe punën që po bëhet nga MAS në bashkëpunim me KOKSH-in për projektin e nisur tashmë të masivizimit të sportit në shkolla.

“Angazhimi ynë dhe i KOKSH përsa i përket lëvizjes sportive në shkolla, jam e bindur se do të sjellë akoma më shumë fryte në të ardhmen sepse është rezervuari më i madh i talenteve për kampionët e së nesërmes”, tha Manastirliu.

Në mbrëmjen GALA “Yjet e Sportit 2023” ku u dhanë vletësime dhe trofe për sportistët me arritjet më të mira në vitin 2023, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Komitetit Olimpik Evropian, Spyros Capralos, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli, rekordmeni dhe Kampioni i Botës, Luan Shabani, si dhe sportistë elitarë e trajnerë të sporteve të ndryshme.