Vota e emigrantëve, mbërrin në Kuvend projektligji

Shtatë deputetë të opozitës i kanë propozuar Kuvendit të Shqipërisë nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit për votën e emigrantëve.

Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka bërë publike nismën dhe kërkon nga klasa politike që të miratojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të mundësuar që të gjithë shqiptarët jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Gjykata Kushtetuese vendosi në Dhjetor të vitit të shkuar t’i kërkojë Parlamentit miratimin brenda vitit të këtyre ndryshimeve.

Nga ana tjetër, Komisioni i Posaçëm i reformës zgjedhore ku pritet diskutimi i votës së emigrantëve ende nuk ka asnjë datë për tu mbledhur, teksa afati i gjykatës Kushtetuese për të adresuar votën e emigrantëve përfundon në Janar.