Tragjedia në Greqi, mes viktimave konfirmohen 5 shqiptarë

Zjarrfikësit dhe personeli i ekipeve të shpëtimit kanë gjetur gjatë ditës së sotme dhjetëra trupa të tjera  pa jetë, disa tërësisht të djegur, në llamarinat e shkrumbuara të vagonëve dhe  numrit të viktimave nga aksidenti tragjik pas përplasjes së dy trenave në luginën e Tembit dy ditë më parë, që ka shkuar në 57 do t’i shtohen edhe 57 të tjerë që konsiderohen të humbur.

Mes viktimave ndodhen të paktën edhe pesë shtetas shqiptarë, pavarësisht se konfirmimi zyrtar për shumicën e tyre ende nuk është dhënë, pasi duhet të përfundohet identifikimi me anë të testit të ADN.

Midis 6 prej të plagosurve që vazhdojnë të trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv të intubuar, shtetasi shqiptar  Roberto Dristi 25 vjeç që ka thyerje në shumë pjesë të trupit , mjekohet në spitalin universitar të Larisës, ndërsa 23 vjeçarja Anisa Liuri ka mbërritur dhe trajtohet në spitalin e traumës Papanikolau në Selanik.

Në spitalin e Larisës kanë kryer testin e ADN të paktën 53 prindër apo të afërm të viktimave ,ndërsa ende nuk ka një numër të saktë se sa perosna janë përfshirë në aksidentin tragjik.

Mesditën e së enjtes para hetuesit dhe prokurorit ka deponuar 59 vjeçari përgjegjës i linjës hekurudhore në stacionin e Larisës i cili , pasi është arrestuar , thuhet se ka pranuar një pjesë të fajit të tij, duke urdhëruar mbremjen e së martës trenin e pasagjerëve të hynte në trasenë e gabuar.

Por avokati i tij mbrojtës ka vënë në dukje se në se do të punonin edhe sistemet elektronike të sigurisë, do të ishte shmangur aksidenti fatal.