Tirana zyrtarisht “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, ceremonia madhështore në Pallatin e Kongreseve i hap rrugë 1000 aktiviteteve

Tirana ka nisur zyrtarisht aktivitetet si “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” dhe kjo u bë përmes një eventi madhështor në Pallatin e Kongreseve që bëri bashkë të rinj, sipërmarrës, politikanë, diplomatë dhe njerëz të artit.

Dy nga këngëtarët më të njohur shqiptarë në botë, Ermal Meta dhe Dua Lipa, përshëndetën nisjen e organizimeve. I pari duke qenë prezent në skenë, ndërsa e dyta përmes një videoje të përzemërt urimi nga ku premtoi një tjetër vizitë në Tiranë.

Për gjatë gjithë vitit Bashkia Tiranë do të mbështesë organizimin e mbi 1 mijë aktiviteteve si pjesë e programeve në kuadër të “Kryeqytetit Europian të Rinisë”, që premton ura bashkëpunimi mes të rinjve nga Shqipëria, rajoni dhe Europa. Kjo nisur edhe nga fakti që Komisioni Europian pikërisht këtë vit ka prioritet të rinjtë.

Të rinjtë shqiptarë do kenë mundësi që të vizitojnë vendet europiane dhe të shkëmbejnë kulturën me moshatarët e tyre dhe e kundërta, të rinjtë europianë do kenë mundësinë që të vizitojnë Shqipërinë dhe të prezantojnë projektet e tyre. Përveç kësaj, përmes aktiviteteve të “Kryeqytetit Europian të Rinisë 2022” premtohet promovimi i turizmit.

Përpara eventit, për Tibo-News shpjeguan më tepër dy prej menaxherëve të programeve Ergys Gezka dhe Irena Topalli. Gezka shpjegoi se do të mbështeten kryesisht programe të fushave të ndryshme nga arti deri te aktivitetet ekonomike.

“Ky vit do jetë plot programe e aktivitete që do realizohen gjatë gjithë këtyre muajve. Si programe te kalkuluara janë mbi 1000, të gjitha për të rinjtë në fusha të ndryshme, janë 8 programe dhe brenda tyre janë të gjitha projekte që do zbatohen përgjatë këtij viti. Programet mbulojnë 360 gradë nevojat e të rinjve, ata zgjedhin në bazë të ofrmimit dhe interesave që kanë, artin kulturën, nxitjen e punësimit, shëndetin mjedisin e shumë prioritete të tjera,” – tha Gezka.

Ndërsa Irena Topalli tregoi për gatishmërinë e të rinjve shqiptarë mbi këto aktivitete. Ajo tha se ata kanë qenë shumë të angazhuar gjatë fazës së përgatitjes së projekteve dy vitet e fundit.

“I gjithë procesi për të ardhur në këtë ditë është një proces i gjatë i lodhshëm do të thosha, por edhe i bukur, të rinjtë kanë qenë ata tek të cilët që ne jemi kthyer për të marrë mendime dhe për të marrë opinione dhe nevojat e tyre,” – u shpreh Topalli.

Të rinjtë e huaj kanë shprehur interesa, tha ajo, duke shtuar se kanë nisur tashmë diskutimet për projektet në vazhdim.

“Kemi një delegacion me të ftuar nga gjithë Europa dhe Ballkain, janë rrjete të ndryshme të të rinjve, të përfaqësuar në nivel Europe dhe Ballkani që vijnë për të marrë pjesë në ceremoninë tonë dhe kemi bKemi dhe bashi të tjera në të gjithë Euripënqë janë të gatshëm për të bashkëpunuar. Dhe tashmë diskutimet për projektet në vazhdim kanë nisur, jam e sigurt që gjatë këtij viti do të kemi mundësi të sjellim shumë e shumë të rinj shqiptarë në Europë dhe të rinj europianë në Tiranën tonë për të forcuar urat e bashkëpunimin dhe për të bërë të rinjtë tanë të kuptojnë që janë europianë,” – vijoi më tej menaxherja e programeve të “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.

Titulli “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” është marrë me iniciativë të organizatave të shoqërisë civile, nën drejtimin e Kongresit Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë.

Shpallja u bë në vitin 2019 në Aimens të Francës nga Forumi Rinor Evropian. Katër qytete të tjera ishin finaliste si Baia Mare (Rumani), Kazan (Rusi), Poznan (Poloni) dhe Varazdin (Kroaci).

Programi synon krijimin e mundësive të reja për të rinjtë, nxitjen e ndryshimeve pozitive, inkurajimin e pjesëmarrjes aktive dhe identitetin evropian. Qyteti i parë që e ka marrë këtë titull ka qenë Roterdami në vitin 2009.