Tërmeti në Turqi mes frikës dhe kaosit/ Mbi 19 mijë viktima, të mbijetuarit pa ujë dhe ngrohje

Më shumë se 19 mijë e 300 persona janë konfirmuar të pajetë dhe pritet që të rritet si pasojë e tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter në Turqi, pranë kufirit me Sirinë dhe lëkundjeve të tjera të forta që pasuan.

Përpjekjet e ekipeve të shpëtimit vijojnë, për të gjetur persona nën rrënoja, në të katërtën ditë  pas tërmetit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se organizatat humanitare tani kanë sfidën për të siguruar që ata që i mbijetuan tërmeteve të vazhdojnë të mbijetojnë.

Menaxheri i reagimit ndaj fatkeqësive natyrore në OBSH-së thotë se tani janë mijëra njerëz që po mbijetojnë “jashtë, në kushte të përkeqësuara dhe të tmerrshme”, me akses të ndërprerë në ujë, karburant, energji elektrike dhe komunikim, mes temperaturave nën zero të dimrit.

Përpjekjet për ndihma në Siri janë komplikuar nga konflikti i viteve, por karvani i parë i ndihmës për Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita thuhet se kalon në territor nga Turqia.

Dorëzimi i ndihmave jetë shpëtuese ishte i ndërprerë për katër ditë për shkak të dëmtimit të rrugëve.

Ka pasur zemërim në Turqi lidhur me pretendimet se shërbimet e urgjencës iu përgjigjën shumë me vonesë incidentit, me disa nga banorët që kanë thënë se u desh një ditë që ata të vinin dhe ti ndihmonin.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pranoi dje se qeveria kishte hasur disa probleme, por siguroi se tani situata është vënë nën kontroll dhe se të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë do të kenë një shtëpi të re më të mirë se ajo që kishin.

Humbjet e jetëve i ka konsideruar një tragjedi si pasojë e një katastrofe të natyrës.

Ekziston frika se ndikimi ekonomik në rajon mund të jetë i madh.

Agjencia e vlerësimit Fitch sugjeron se fatkeqësia mund të shkaktojë humbje ekonomike që tejkalojnë 4 miliardë dollarë.

“Humbjet ekonomike janë të vështira për t’u vlerësuar pasi situata po evoluon, por ato duket se ka të ngjarë të kalojnë” 2 miliardë dollarë dhe mund të arrijnë 4 miliardë “ose më shumë”, sipas Fitch Ratings.

Humbjet e siguruara do të jenë shumë më të ulëta, ndoshta rreth 1 miliard dollarë, për shkak të mbulimit të ulët të sigurimit në zonën kur ka goditur më shumë tërmeti.

Historitë në këtë ngjarje tragjike janë nga më të rëndat dhe prekëset.  Mes tyre është edhe ai i një ekipi volejbolli që po qëndronte në një hotel në Adiyaman kur ra tërmeti.

Trupat e dy mësuesve dhe një studenti janë gjetur në rrënojat e ndërtesës tashmë të shembur.

39 anëtarë të ekipeve të volejbollit për vajza dhe djem të Kolegjit Arsimor Turk të Famagustës po qëndronin në hotelin shtatë katësh Isias. Vetëm katër prej tyre thuhet të kenë mbijetuar, ndërsa po kërkohet për trupa të tjerë, me shpresë të gjallë.

*Tibo News