
Shqipëria strehon 10 sportistë ukrainas, Fidel Ylli: Garanci nga qeveria, presim dhe të tjerë
Shqipëria do t’u ofrojë strehim të përkohshëm sportistëve ukrainas, të cilët për shkak të luftës nuk mund të vijojnë paqtë jetën dhe stërvitjen në vendin e tyre.
Grupi i parë u prit të mërkurën nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zëvendës-presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Ferdinand Canaj dhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shkurov.
Tetë atletë dhe dy trajnerët e tyre mbërritën në mesditë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” pasi udhëtuan me avion nga Varshava. Ata do të qëndrojnë përkohësisht në Tiranë dhe më pas do të zhvendosen në Elbasan ku do të kenë mundësinë edhe për t’u stërvitur në mjediset e stadiumit “Elbasan Arena”.
Gjatë pritjes së tyre, Presidenti Ylli, tha se nisma është tregues i virtytit të mirëpritjes që e karakterizon historikisht Shqipërinë. Kjo e dëshmuar edhe në rastet e shkuara me afganët, iranianët, apo dhe shqiptarët e Kosovës. Ai theksoi se gjithçka u bë e mundur falë mbështetjes së qeverisë, bashkive Tiranë e Elbasan, deputetëve lokalë si dhe sipërmarrësve.
Duke folur enkas për Tibo News, Ylli tregoi se që pas nisjes së luftës në Ukrainë, ai dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Gjergj Ruli kishin mbajtur kontakte të vazhdueshme me homologët ukrainas në mënyrë që t’u ofrohej ndihmë humanitare të gjithë sportistëve që ishin në nevojë.
Ylli theksoi se Shqipëria ka shprehur garancinë për të strehuar deri në 100 atletë.
Prej 24 shkurtit Rusia ka sulmuar ushtarakisht Ukrainën duke shkaktuar të paktën 2 mijë civilë të vrarë dhe 4 milionë refugjatë. Situata atje mbetet e pasigurt. Sporti ukrainas kishte njohur rritje së fundmi.
Kjo u dëshmua gjatë lojërave Olimpike Dimërore që u zhvilluan në Pekin. Ukraina rezultoi përfaqësuesja e dytë me më shumë medalje, ku në total fitoi 29, 11 prej të cilave ari.