Shqipëria në plakje me ritme të shpejta, çfarë thonë sociologët

Mosha mediane në Shqipëri në vitet e fundit është rritur me ritme të larta. Të dhënat e fundit të Eurostat kanë treguar se nga viti 2003 deri në vitin 2023 mosha mesatare në Shqipëri është rritur me 11 vite, nga 27.9 vjeç në 38,8 vjeç, duke renditur vendin tonë në vend të 34-rt nga 49 vende në studim.

Dhe sipas shifrave, nga viti në vit, pothuajse kjo rritje e moshës mediane është bërë me një vit.

Përqindja  e popullsisë së plakur u rrit nga 1.3 % në vitin 2003 në 3.3 %.

Por çfarë thonë sociologët? Ata thonë se kjo rritje e moshës mediane e cila rrjedhimisht shoqërohet me plakjen e popullsisë po ndikon negativisht tek lindjet dhe tek mosha e re.

Sociologu Gëzim Tushi thotë:

“Raporti midis popullsisë së re dhe asaj të plakur po prishet në favor të kësaj të fundit. Kjo do të thotë që gjithnjë e më shumë po shtohen të moshuarit dhe po pakësohen të rinjtë. Edhe pse duhet konsideruar si një çështje demografike, në të vërtetë duhet ta shikojmë si një problem që ka shumë komponentë”.

Faktori kryesor i rritjes së plakjes së popullsisë lidhet me bërthamën e familjes.

“Familja shqiptare ka pësuar një ndryshim të madh. Tani më kemi hyrë në shoqërinë moderne, familja bërthamore. Pra një familje më sa më pak anëtarë dhe kjo ka bërë që të bjerë numri i lindjeve. Kemi një emancipim të femrës në shoqëri. Ne kemi nevojë për një lloj revolucioni demografik që lidhen me disa komponentë, që lidhen me familjen, me shoqërinë. Duhet parë struktura e kujdesit për fëmijët”.

Ndërkaq, në vitin e kaluar vendi me popullsinë me të plakur në Europë u rendit Italia, ku mosha mediane rezultoi 48.8 vjeç nga 41 vjeç që ishte në  vitin 2003, ndjekur më pas nga Portugalia dhe Greqia.