Shqipëria do prodhojë armë? Rama flet me afate

Duket se qeveria shqiptare e ka një plan konkret për të rigjeneruar industrinë e prodhimit të armëve. Dhe pasi u përmend për herë të parë gjatë vizitës së presidentit Ukrainas në Shqipëri, kryeministri së fundmi ka folur sërish dhe me afate se kur mund të ndodhë.

“Brenda vitit 2030 ne të kemi dhe eksporte ushtarake të markës Made in Albania”.

Sipas mediave vendase, në fakt ka një interes nga investitorë ë huaj që duan të investojnë në 3 uzinat e mbyllura të prodhimit të armëve në Gramsh, Poliçan dhe Mjekës për t’i kthyer ato në funksionale për prodhimin e armëve.

Rama e evidentoi këtë duke thënë:

“Sigurisht, në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze, të vendeve aleate, shteti do të jetë partner, ortak, aksioner”.

Deklaratat e kreut të qeverisë u bënë gjatë inagurimit të Qendrës së Inavacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku foli edhe për strategjinë e investimeve në teknologji, që do të bëjnë të mundur që inspektimet kryesisht në siguri dhe në mbrojtje, por edhe në bujqësi dhe kontrollin e territorit, të bëhen nga ajri.

Rama theksoi edhe vendimin për rritjen e pagave për ushtarakët brenda gjysmës së dytë të këtij viti, por shtoi se mbështetja do të shkojë dhe për studentët e akademive ushtarake dhe atyre të policisë si dhe studentëve të degëve që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin.