
Shokët, tanimë pa Tomkën e tyre
“Të gjithë jemi udhëtarë që lëmë gjurmë nga pas, prandaj duhet të lëmë gjëra që i mbajnë gjallë këto gjurmë”
Te Enea Zhegu, simboli i vegjëlisë dhe brezit që kërkonte ndryshim, gjurmët jo vetëm jetojnë, por kanë mbetur përjetësisht në kujtesë.
Për të ka mjaftuar një rol për tu kthyer në legjendë, një Tomkë i dashur për të gjithë, simbol i lirisë dhe mbajtës i zemrave peshë.
Asokohe fëmijë, ai do të ndjehej i përkëdhelur nga fati.
Mbarësia do t’i vinte që kur regjisori Dhimitër Anagnosti e zgjodhi për filmin “Lulëkuqet mbi mur”.
Një vit më pas, 1977 spikati me rolin e Zigurit në filmin “Njeriu me top” dhe veçanërisht shkëlqeu me atë të Tomkës në “Tomka dhe shokët e tij”, rol i cili e bëri të njohur dhe e identifikoI tek artdashësit.
Të ndalemi pak te filmi që e bëri Zhegun simbol të kinematografisë shqiptare.
Një film që ka kënaqur breza të tërë fëmijësh, të cilët panë tek Tomka shokun që gjithkush do të donte ta kishte përkrah, aventurierin e patrembur, energjinë që fëmijët kanë, zgjuarsinë dhe naivitetin e moshës.
Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij, por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet.
Ai nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak.
Pas shfaqjes së filmit në këtë rol kryesor, Enea Zhegu do të gjendej në qendër të vëmendjes.
Pas Tomkës, do të vinte edhe filmi “Një jetë më shumë”, i regjisorit Gëzim Erebara në vitin 1986.
Por pas këtij filmi, nuk do të kishte filma të tjerë për Tomkën sepse emocionet e sheshxhirimeve u ndërprenë me “Një jetë më shumë”.
Në vitin 1990, Enea filloi jetën si emigrant në Greqi, e pak vite më pas në Itali.
Pas disa vite qëndrimi në Evropë, u kthye në Tiranë për të vazhduar aty ku e la, por kuptoi që jeta nuk mbante më të njëjtën dinamikë si filmat dhe u drejtua drejt një tjetër bote, asaj të biznesit.
Një biznesmen i vogël, sipërmarrës në lokalin që ndonëse kishte një emër, njihej më shumë si lokali i Tomkës, sepse Enea Zhegun kështu vazhdojnë e njohin edhe sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar shumë e shumë vite që nga ajo koha kur ai do të futej në shesh të xhirimit për të realizuar këtë rol, që do t’i jepte famë që në fëmijërinë e tij të hershme.
Sytë Zhegu i mbylli shkak i një sëmundje të rëndë në moshën 57-vjeçare, por emri dhe simboli i tij përveçse nuk shuhen, do të kenë dritën e përjetshme.
Tomka nuk vdes kurrë, sytë e tij jetojnë në simbolin e fëmijërisë edhe atëherë kur e diela e fundit e këtij maji, bëhet e fundit edhe për të.
*Tibo News