
Shell raporton tjetër rritje fitimesh
Shell raportoi një fitim prej rreth 9.5 miliardë dollarësh për tremujorin e tretë. Fitimi ishte mbi parashikimet, por sidoqoftë kishte rënie krahasuar me rekordin më të lartë të arritur tremujorin e mëparshëm.
Shell tha se për këtë rënie të ndjeshme shkak kishte qenë procesi i rafinimit, i cili këtë periudhë kishte qenë më i ngadaltë dhe po kështu luhatjet e tregtimit të gazit.
Prej nisjes së vitit 2022, gjigandi i energjisë ka realizuar një fitim prej pak më shumë se 30 miliardë dollarë. Kjo e vendos kompaninë Shell në pozita të kënaqshme drejt tejkalimit të parashikimeve për fitimet vjetore.
Megjithatë këto fitime të mëdha ka të ngjarë të nxisin thirrjet në Britani dhe Bashkim Evropian për të vendosur taksa shtesë ndaj të ardhurave të kompanive të energjisë, kjo teksa qeveritë po luftojnë me rritjen e faturave të gazit dhe energjisë elektrike.
Aksionet e Shell janë rritur me 40% deri më tani, krahasuar me një vit më parë, kjo si rezultat i çmimeve të larta të naftës dhe gazit, si rrjedhojë e uljes së prodhimit dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Duke parë këto pozita të leverdishme Shell ka njoftuar zgjerimin e programit të riblerjes së aksioneve. Në planin afatmesëm parashikon të blejë 4 miliardë dollarë aksione, kryesisht nga kompanitë e energjisë së rinovueshme.