SHBA dhe Meksika i kërkojnë OBSH të shpallë emergjencën, çfarë po ndodh?

Autoritetet amerikane dhe meksikane po i bëjnë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të shpallë një emergjencë të shëndetit publik për shkak të një shpërthimi mykotik të lidhur me operacionet kozmetike në Meksikë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë se dy persona që iu nënshtruan operacioneve që përfshinin anestezi epidurale kanë vdekur nga meningjiti.

Pothuajse 400 persona në SHBA dhe Meksikë po monitorohen.

Dy klinika kozmetike në qytetin meksikan Matamoros janë mbyllur.

Autoritetet si në SHBA ashtu edhe në Meksikë u kanë kërkuar njerëzve që kanë kryer operacione që përfshinin anestezi epidurale ose në Qendrën Kirurgjike River Side ose në Clinica K-3 që nga janari që të vlerësohen, edhe nëse aktualisht janë asimptomatikë.

CDC tha se kishte identifikuar tashmë 25 persona në SHBA me raste “të dyshuara” ose “të mundshme” të meningjitit fungal.

Shumë qytetarë amerikanë udhëtojnë në Meksikë për procedura kozmetike të tilla si liposuksioni, zmadhimi i gjoksit dhe ngritja e të pasmeve, të cilat të gjitha kërkojnë injektimin e një anestezie në zonën përreth shtyllës kurrizore.

Dallas Smith i CDC tha se medikamentet e përdorura gjatë anestezisë në shpërthimin aktual mund të kenë qenë të kontaminuara ose tek vetë epidurali ose në medikamente të tjera që janë shtuar së bashku gjatë operacioneve si morfina.

“Ka një mungesë aktualisht në Meksikë dhe mund të ketë potencial për një treg të zi që mund të ketë kontaminuar ilaçet,” tha Smith.

Simptoma më e zakonshme e hershme e meningjitit fungal është dhimbja e kokës, e ndjekur nga simptoma si ethe, të vjella, dhimbje në qafë dhe shikim të paqartë.

Meningjiti fungal nuk është ngjitës dhe mund të trajtohet me ilaçe antifungale – por mund të bëhet kërcënues për jetën sapo të fillojnë simptomat.

Amerikanët shpesh udhëtojnë në Meksikë për shërbime mjekësore me kosto të ulët.

OBSH shpall një emergjencë të shëndetit publik kur një sëmundje përhapet midis vendeve dhe mund të kërkohet një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare për ta vënë atë nën kontroll.