
SHBA dërgon aeroplanmbajtëse në Korenë e Jugut
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan këtë javë një aeroplanmbajtëse në Korenë e Jugut, katër vite pas një mungese prezence të tillë.
Aeroplanmbajtësja i bashkohet anijeve koreano-jugore në një stërvitje ushtarake që zyrtarët thonë se synon t’i dërgojë një mesazh të qartë Koresë së Veriut.
“USS Ronald Reagan” dhe anijet e tjera shoqëruese u ankoruan në një bazë detare në qytetin portual të Busanit.
Komandanti i grupit sulmues së SHBA-së, kundër-admirali Micheal Donnelly tha se SHBA-të po qëndrojnë fort pranë Koresë së Jugut. Ai theksoi se mesazhet politike janë nga diplomatët, ndërsa ushtria do të vijojë zbatimin e bashkëpunimit dypalësh të vendosur prej kohësh.
Donnelly tha se SHBA dhe Koreja e Jugut do të praktikojnë taktikat e reja operacionale dhe presin t’i demonstrojnë këto me stërvitjet e radhës.
Ardhja e “USS Ronald Regan” është zhvillimi më i madh deri më tani në rajonin e Azisë Lindore, nën një trysni të re për të pasur më shumë “asete strategjike” të afta për të parandaluar Veriun në lëshimin e armëve bërthamore në zonë.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol ka treguar hapur dëshirën për më shumë stërvitje të përbashkëta ushtarake si një paralajmërim për Kim Jong-Un pasi Koreja e Veriut ka kryer një numër rekord të testeve raketore këtë vit.
Ekspertët besojnë se Peniani po përgatitet të rifillojë testimet bërthamore për herë të parë që nga viti 2017, pasi bisedimet e mëparshme nuk arritën të bindin Korenë e Veriut që t’i japë fund programit të saj.
Në të kaluarën, Koreja e Veriut ka denoncuar stërvitjet e mëparshme të përbashkëta si prova për luftë, dhe provë armiqësie nga Uashingtoni dhe Seuli.