Rusët dhe ukrainasit në Shqipëri

Pas nisjes së luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, më 27 shkurt Shqipëria vendosi të ndalojë fluturimet e avionëve rusë në hapsirën e saj ajrore. Kjo ishte pjesë e disa sanksioneve që do të qëndrojnë në fuqi deri sa të vazhdojë lufta në Ukrainë. Por këto ndalesa nuk i kanë penguar shtetasit rusë të vijnë në Shqipëri.

Deri në mes të gushtit kanë hyrë në vend mbi 15 mijë shtetas rusë. Rusët janë pjesë e personave që mund të hyjnë pa viza në territorin shqiptar deri në 31 shtator të 2022.

Një praktikë kjo e ndjekur nga qeveria për heqjen e vizave me shumë shtete gjatë sezonit veror për të tërhequr sa më shumë turistë. Lufta nuk i ka ndaluar as ukrainasit të vizitojnë Shqipërinë, 20 mijë prej tyre kanë hyrë në vendin tonë deri në mes të gushtit.