
Rritja e çmimeve, rishikohet buxheti i vitit 2022
Kriza e çmimeve e ndikuar nga lufta Rusi-Ukrainë, ka sjellë rishikimin e parë të buxhetit të shtetit për vitin 2022. Nëpërmjet një akti normativ qeveria ka vendosur të rrisë me 10 miliardë lekë të ardhurat dhe shpenzimet, ndërkohë që ka mbetur i pandryshuar deficiti buxhetor. Në ndryshimin e buxhetit fondi për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës është 6 miliardë lekë.
Ky fond parashikon përballimin e çmimeve të rritura të karburantit, rritjen e pagës minimale si dhe indeksimin e pensioneve. Qeveria ka vendosur që fondin për indeksimin e pensioneve ta rrisë, nga 2.5 miliardë lekë që ishte parashikuar në 3.3 miliardë lekë. Në aktin normativ është përcaktuar edhe fondi prej 20 miliardë lekësh që do të përdoret për faturën e rritur të energjisë elektrike, duke e çuar në total buxhetin që do të përdoret për krizën energjetike në 28 miliardë lekë. Nëpërmjet këtij rishikimi, qeveria parashikon rritjen e të ardhurave tatimore me 10 miliardë lekë për këtë vit.