Rriten shitjet e makinave elektrike në BE

Automjetet elektrike përbënin 12.1% të shitjeve të makinave të reja në Bashkimin Evropian në vitin 2022 duke vënë kështu një rekord të ri.

Blloku 27 anëtarësh synon të ndalojë shitjen e makinave që përdorin naftë apo benzinë deri në vitin 2035.

Sektori i prodhimit të makinave ka pësuar një ngadalësim me nisjen e pandemisë për shkak të mungesave në zinxhirët e furnizimeve.

Megjithatë shitjet e makinave elektrike u rritën me 28%, krahasuar me vitin 2021 dhe kaluan mbi 1,1 milionë njësi vitin e kaluar.

Automjetet elektrike përbënin 9.1% të totalit të makinave të shitura në vitin 2021 dhe 1.9% në vitin 2019.

Tregu gjerman luajti një rol të rëndësishëm në këtë rezultat.

Shitjet u përshpejtuan në fund të vitit në ekonominë më të madhe të Europës, përpara uljes së bonuseve për blerjen e këtyre automjeteve.

Tregu italian ishte i vetmi që shënoi rënie të shitjeve të makinave të reja elektrike, me 26.9%.

Hibridet pa karikim gjithashtu vazhduan të rriten me 8,6% dhe tashmë përfaqësojnë 22,6% të shitjeve në BE, me pak më shumë se dy milionë njësi të shitura.

Shitjet e hibridëve të rikarikueshëm – automjete të pajisura me motor benzine ose naftë dhe një motor të vogël elektrik që mund të rimbushet në prizë – u ngadalësuan për herë të parë, me një rritje prej 1.2%, në 874,182 njësi.

*TiboNews